Nga Gjergj KOLA

Sot jemi më 10 tetor, një datë që për familjen Durraj është vërtetë e trishtë. 43 vjet më parë u nda nga jeta pjestari i saj, njëkohësisht ish- futbollisti i Vllaznisë Suadi.

Ka qenë 10 tetor i vitit 1981. Vllaznia ndodhej në stërvitje dhe pikërisht gjatë saj ka ndodhur diçka që ka shokuar të gjithë futbollistët, trajnerët dhe pjestarët e tjerë të skuadrës.

Edhe tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit “Vojo Kushi” ku ekipi po stërvitej. Arresti kardiak i ka marrë jetën atij teksa po zbatonte programin stërvitor bashkë me shokët e tij të ekipit, shkruan shkodrasport.com

Ndërhyrja e mjekut Çoba por edhe e të tjerëve, ka rezultuar e kotë sepse Suadi nuk do të kthehej më. Ndodhi pikerisht ate dite qe ai do te festonte 30 vjetorin e lindjes. Çfare koinçidence e tmerrshme. Ka lindur me 10 tetor 1951 dhe nderroi jete me 10 tetor 1981.

Mbrojtësi i talentuar i Vllaznisë, fitues i disa trofeve me të, i dha lamtumirën kolegëve, miqve dhe mbi të gjitha familjarëve të tij, në mënyrën më të keqe të mundshme. Shumëkush mendon se ai kishte lindur për t’u bërë futbollist dhe në fakt, në fushën e blertë mbylli sytë.

Djali i një futbollisti të madh të Vllaznisë së viteve ’40 Adem Smajlit (Durrajt) kishte luajtur edhe 14 ndeshje me ekipin kombëtar “Shpresa” gjatë atyre viteve dhe po ashtu ishte edhe kontigjent i ekipit përfaqësues. Përveç të tjerash një mësues i dashur për të gjithë nxënësit e shkollës “7 Nëntori” ku ai jepte mësim në lëndët e historisë dhe gjeografisë.

Ndarja e tij nga jeta në fushën e stërvitjes ende kujtohet ende edhe sot si diçka tragjike nga ata që e kanë përjetuar nga afër. Vazhdon të mbetet një nga momentet më të vështira për ta dhe që nuk do t’u shlyhet asnjëherë nga mendja./www.shkodrasport.com/