Nga Gjergj KOLA
Futbolli shkodran na ka dhuruar në vite shumë figura të shquara. Dikush si sportist, të tjerë si trajner, por ka patur edhe prej atyre që i kanë bërë të dy këto role. Por më shumë se Esat Rakiqi askush. Ai ka qenë pranë futbollit për plot 58 vjet. Një kontribut i jashtëzakonshëm i këtij njeriu të rrallë.
U ndalëm sot tek ky personazh i mirënjohur i futbollit shkodran dhe shqiptar sepse kjo ditë përkon me atë të 7 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Esat Rakiqi ka lindur në Shkodër më 29.05.1943 dhe i lindur në një lagje e cila ka nxjerrë futbollistë të mëdhenj, kuptohet që edhe ai kishte atë dëshirë: Të merrej me futboll.
Ka filluar të spikasë në moshën 14 vjeçare kur në Durrës u zhvillua Spartakiada e parë Kombëtare për fëmijët. Trajner kishte Zyhdi Bakallin i cili madje i besoi edhe shiritin e kapitenit. Ka luajtur dy vite me këtë ekip për të kaluar më pas me të rinjtë. Në vitin 1959, ishte vetëm 16 vjeç dhe trajner me këtë ekip ishte Xhelal Juka.
Edhe ai duke parë aftësitë e tij, i beson edhe ai shiritin e kapitenit por vetëm deri me këtë ekip sepse pastaj gjërat ndryshuan edhe për shkak të biografisë time. Kalon tek ekipi i parë në një nga vitet e errëta të Vllaznisë, në vitin 1961 kur ajo ra nga kategoria.
Ekipi drejtohej nga një grup trajnerësh ku i parë ishte Rifat Rusi e bashkë me edhe Muc Koxhja, Muhamet Dibra si dhe Latif Alibali trajner portierësh. Në vitin 1965 Rakiqi bashkë me lojtarët e tjerë fitojnë Kupën e Republikës. Më pas shkon ushtar ku një vit luan me Partizanin ndërsa gjashtë muajt e fundit kalon tek Lokomotiva e Durrësit.
Kthehet tek Vllaznia dhe me të luan në vitet 1968- 1973 duke qenë gjithnjë titullar në formacion dhe duke kontribuar në arritjen e shumë rezultateve pozitive. Në prag të sezonit 1973-74 do të vinte lamtumira nga futbolli.
Luan madje edhe në 3-4 ndeshjet e para por më pas drejtuesit e klubit e detyruan të lërë futbollin sepse kishte mbushur 30 vjeç dhe në atë periudhë sportistët në këtë moshë i quanin të vjetër dhe prandaj duhej t’i lironin vendin më të rinjve. Njëkohësisht e urdhëruan për të nisur në Tiranë kursin njëvjeçar për trajner.
Me të mbaruar kursin njëvjeçar, i japin ekipin e të rinjve të Vllaznisë të cilin e drejton nga viti 1974 deri më 1980 dhe nga duart e tij kanë dalë disa futbollistë të cilët do të bënin emër më pas në futbollin shqiptar si Hysen Zmijani i cili solli ndryshimin e madh në futbollin shqiptar me lojën dhe daljet e tij karakteristike në krahun e djathtë.
Nga duart e tij kanë dalë futbollistë si Ferid Rragami i cili kujt ekipi nuk i ka ba gol, ka dalë Ferid Borshi i talentuar që Partia nuk e lejoi me ba emër. Kanë dalë Roland Luçi, Fatbardh Jera, Hysen Dedja etj. Ndërkohë në vitin 1980 kalon tek ekipi i parë, kur trajner i parë ishte Kolec Kraja dhe prej këtij momenti unë ka vijuar të jetë pjesë e ekipit deri në vitin 2010, natyrisht me disa shkëputje të vogla teksa ka punuar si trajner me Edi Martinin tek Laçi si dhe katër muaj si trajner i parë tek Ada.
Karriera e tij si trajner do mbyllej në sezonin e mrekullueshëm dhe të paharrueshëm 2012-13 me Kukësin kur me trajnerin Armando Cungu, futbollistët dhe drejtuesit e Kukësit bënë historinë e futbollit shqiptar duke mbërritur deri në turin e katërt të Kupave të Europës.
Këtu mbyllet cikli 56 vjeçar i tij pranë futbollit. Ka fituar 5 tituj kampionë si futbollist dhe si trajner pikërisht në sezonet 1971-72 dhe 1973-74 (si futbollist), 1982-83, 1991-92 dhe 2000-01 (si trajner).
Po ashtu kam fituar 4 Kupa të Republikës si futbollist dhe si trajner në vitet: 1965, 1971-72 (si futbollist), 1980-81, 1986-87 (si trajner). Ka fituar një Superkupë si trajner në vitin 2001 kur mundën Tiranën dhe është shpallur dy herë kampionë në kategorinë e dytë, në vitin 1962 me Vllazninë si futbollist dhe në vitin 2008 me Laçin si trajner. Të gjithë e kanë njohur Rakiqin si “zëvendëstrajnerin e përjetshëm”.
Esat Rakiqi punoi plot 33 vite si zëvendëstrajner. Si askush tjetër. Jo më kot do të mbetet gjithmonë në mendjen e njerëzve si njeri i rrallë! Ai është ndarë nga jeta më 13 tetor 2016 në moshën 73 vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.