Futbollisti shkodran Alsid Tafili është rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme tek Liria e Prizrenit. Në ndeshjen e tij të parë me të, ai ka qenë protagonisti kryesor në fitoren 4-1 ndaj Gjilanit duke shënuar plot 3 gola në këtë ndeshje. Ka qenë një rikthim që ndoshta edhe ai vetë nuk e kishte menduar dhe prandaj vetë ai ka mbetur i befasuar. “Ka qenë një ndeshje që do më lërë mbresa gjatë. Shënova tre gola dhe i dhashë fitoren ekipit tim. Në Prizren nuk më kishin harruar. Tifozët më respektojnë shumë dhe gjatë gjithë ndeshjes, dëgjoja tifozët të thirnin në kor emrin tim dhe kuptohet që kjo më bëri të ndjehem mirë”-ka thënë ai për gazetën www.shkodrasport.com. Tafili është rikthyer nga Greqia pas fatkeqësisë familjare (ndarjes nga jeta të babait të tij-mjeshtrit të çiklizmit Agim Tafili) dhe ka patur 2-3 oferta në Shqipëri por vendosi të kthehej sërish në Kosovë, aty ku 2 sezone më parë pat luajtur sërish me Lirinë e Prizrenit dhe e ndihmoi atë skuadër të fitonte kupën e Kosovës duke mundur në finale Vllaznimin e Gjakovës me 2 gola të shënuar prej tij në fitoren 2-1.

Arsyen pse zgjodhi sërish Lirinë, Alsidi e ka bërë të njohur për gazetën tonë kur thotë: “U ktheva atje sepse e kisha të nevojshme të qetësohesha pak nga trauma që kalova pas ndarjes nga jeta të babait tim. Në Prizren më duan, më respektojnë, më kanë plotësuar kushtet e kontratës dhe prandaj jam atje deri në fund të sezonit. Më pas do shoh, nëse ekziston mundësia sigurisht që do dëshiroja të luaja për Vllazninë sepse kjo është ëndërra ime megjithatë t’ia lëmë kohës”. Në këtë mënyrë, me 3 gola që në ndeshjen e parë, mesfushori 24 vjeçar ka treguar se do jetë një nga pikat më të forta të kësaj skuadre dhe do ta ndihmojë Lirinë të renditet në një pozicion sa më të mirë në renditje në fund të kampionatit.

www.shkodrasport.com