Alsid Tafili tashmë përveç futbollit të luajtur, ku aktivizohet me Tërbunin, po kryen edhe rolin e menaxherit. Shkodrani ka kryer disa transferime të rëndësishme këtë merkato dhe për këto ka folur së fundmi në Star Sport. Ai foli edhe për “çështjen Mala”, ku theksoi se mesfushori shumë shpejt do jetë në fushën e lojës për të luajtur me fanellën e Vllaznisë.

Tafili u shpreh duke thënë: “Ka qenë një sesion merkatoje shumë aktiv për mua dhe kolegun tim me të cilin bashkëpunoj. Kemi bërë rreth 13 transferime, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Malin e Zi, Turqi dhe Azerbajxhan.

Me Vllazninë kam bashkëpunuar për të sjellë Esat Malen. Besoj se shumë shpejt do luajë me ekipin sepse skuadra turke e ka dhënë lejekalimin. Por një mungesë komunikimi mes federatës turke dhe asaj shqiptare të futbollit ka bërë që ai të mos jetë i gatshëm.

Por them se shumë shpejt do zgjidhet gjithçka. Për momentin tek Vllaznia nuk kam ndonjë bashkëpunim për të sjellë ndonjë lojtar tjetër. Por ne ende po punojmë në merkato sepse jemi pranë transferimit të një sulmuesi tek ekipi i Partizanit”.

Endri ÇINARI