Alsid Tafili, ish-futbollist i Vllaznisë, ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” ecurinë e kuqebluve. Ish-mesfushori në fjalët e tij ka komentuar në detaje ndeshjen e fundit kundër Tiranës, duke e cilësuar si një ndeshje të mërzitshme dhe pa emocione nga ana e të dy skuadrave. Në fjalët e tij, Tafili po ashtu thekson se Vllaznia ka futbollistë cilësorë, por loja nuk është ende aty ku pretendohet.

Një ndeshje nën ritëm kjo e fundit e Vllaznisë ndaj Tiranës, apo jo?

Unë mendoj se ky ishte derbi i frikës, për arsye se të dyja ekipet nuk po tentonin ta fitonin lojën. Po prisnin thuajse gjatë gjithë kohës dhe po qëndronin pasive. Prisnin gabimin e njëratjetrës, që në fakt nuk erdhi në asnjë moment. Prandaj them se rezultati ishte më se i drejtë për atë çfarë u prodhua, që me të vërtetë ishte zhgënjyese për tifozët dhe futbolldashësit.

Cili është ekipi që mund të rrezikojë Vllazninë në rrugën e saj?

Në mendimin tim, besoj se Vllaznia e mbyll sezonin e rregullt në dy vendet e para të renditjes. Në “Final 4” atëherë duhet të menaxhojnë forcat siç duhet, ku të kenë freskinë për të arritur te titulli kampion. Ekipi që besoj se do t’i rivalizojë për titull është Egnatia, që është ndoshta skuadra më e kompletuar dhe më në formë e kampionatit.

I ka mundësitë skuadra për fitimin e kampionatit dhe të Kupës?

I ka të gjitha mundësitë për të shkuar te suksesi dhe besoj se ka ardhur koha dhe momenti i duhur. Përpjekjet e të gjithëve duke filluar nga drejtuesit, stafi, lojtarët apo edhe tifozët duhet të shpërblehen. Me pak menaxhim të mirë, me entuziazëm dhe seriozitet, siç kanë luajtur deri më tani, Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për titull kampion në fund të sezonit.