Besa nuk mund të bënte dot më shumë përballë Egnatias. Si kurrë më parë në këtë kampionat, ata luajtën pa dy sulmuesit e vetëm, Kainën e Peqinin. Në vend të tyre, trajneri kishte improvizuar si qendërsulmues Bledar Lilën e pas tij Leart Zekollin. Alsid Tafili thekson se ekipi bëri maksimumin në fushë, duke marrë në konsideratë kushtet. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, mesfushori thotë:

“Kryesorja dhe ajo që vlen më shumë, është fakti se Besa luajti me dinjitet gjatë gjithë fazës së tretë të kampionatit. Ndaj Egnatias dhamë maksimumin tonë. Kur them këtë, kam parasysh se luanim pa sulmues fare, ndërkohë që munguan edhe Sefa e Kukaj.

Shumica e futbollistëve që u aktivizuam, mbajmë agjërim dhe kjo është një sakrificë jo e vogël nga ana jonë. Zhvilluam një pjesë të parë mjaft të mirë dhe nuk i lamë hapësira as Shtubinës e as Maganit të godisnin portën tonë. Edhe në ato raste që e bënë, mendoj se Dobjani bëri më të mirën.

Egnatia aktivizoi të gjithë formacionin duke treguar vlerësim maksimal për Besën dhe ky fakt më ngroh jo pak. Në pjesën e dytë ishim në baraspeshë, por vetëm kaq. Me ndërrimet e bëra, por dhe si pasojë e lodhjes sonë ishim të pafuqishëm për t’i bërë ‘keq’ Egnatias. Ata e merituan fitoren dhe ne në fund u dhamë dorën e i uruam për Superioren. E merituan vërtet të ishin ata në Superiore, pasi gabuan shumë më pak se Besa.

Kemi edhe dy ndeshje për të luajtur dhe jua them hapur se nuk e kam menduar ende këtë gjë. Di t’ju them se gëzoj një formë mjaft të mirë fizike dhe jam i gatshëm të vijoj karrierën si më parë. Me Besën kontrata më skadon në qershor, por deri atëherë do të keni një përgjigje se çfarë do të ndodhë me Tafilin”.