Alsid Tafili, futbollist dhe tashmë një menaxher futbollistësh ka folur së fundmi për zhvillimet e fundit në futbollin tonë. Ai është ndalur edhe tek Tërbuni ku është pjesë e pukjanëve, duke e cilësuar si të padrejtë dënimin që iu është bërë.

Gjithashtu mesfushori ndalet edhe tek Vllaznia, ku thekson se nuk shikon gjëra me logjikë tek kuqeblutë. Sipas tij shkodranët nuk hyjnë me një plan të caktuar për të gjetur golin dhe fitoret në ndeshjet e Superiores.

Tafili tha: “Fillimisht dua të ndalem tek Tërbuni ku unë jam pjesë e ekipit. Kemi marrë një dënim të pamerituar dhe ku e kemi apeluar. Por e shoh shumë të vështirë që të ketë një vendim në favorin tonë. Ekipi është sulmuar që në fillim e kjo u vërtetua me dënimin që iu bë së fundmi. Ku edhe pamjet e portierit tonë me 12 qepje në fytyrë i cilësuan si të montuara.

Vllaznia ? Pashë një ndeshje nën nivel ndaj Kukësit, ekipit i mungon ritmi dhe befasia si zakonisht në këtë edicion. Për mua nuk është një rezultat pozitiv ky barazim në Kukës. Sepse Kukësi i la hapësirë Vllaznisë të kishte kontrollin e lojës dhe kjo nuk u shfrytëzua nga skuadra. Duhej të kishte një mentalitet apo edhe plan tjetër për të fituar ndeshjen.

Vllaznia duket se hy pa një plan të caktuar, sikur nuk punohen skema në stërvitje. Nuk ka një mënyrë të caktuar për të shkuar tek goli dhe në fushë lojtarët përshtaten me mënyrën se si shko loja.

Dhe golat gjenden si pasojë e disa aftësive individuale. Po ashtu edhe trajneri Sedloski besoj se ende nuk e njeh ekipin dhe do e ketë të vështirë të përçojë direkt idetë e tij tek skuadra”.
Endri ÇINARI