Mesfushori shkodran Alsid Tafili është shfaqur sërish si autor goli dhe protagonist në fitoren e Lirisë së Prizrenit në ndeshjen e fundit të kampionatit kosovar të futbollit. Liria ka pritur në fushën e saj ekipin e Gjilanit të cilin e ka mundur me rezultatin 3-1. Pikërisht golin e tretë të saj në këtë ndeshje, e ka shënuar shkodrani Tafili. Ai ka ekzekutuar saktë një goditje nga pika e 11-metërshit në minutën e 64-të të ndeshjes. Ky ka qenë goli i pestë i tij për skuadrën prizrenase që nga muaji shkurt kur është bashkuar me të duke qenë një nga pikat më të forta të saj.
Shkuarja e Tafilit tek kjo skuadër por edhe loja e mirë e shkodranit tjetër Mehja që luan tek ky ekip, ka bërë që Liria të ngjisë shkallët në renditje dhe ajo tashmë është në vendin e tetë të renditjes me 35 pikë duke qenë larg vendeve të fundit të tabelës së renditjes ku ndodhej në fazën e parë. Alsid Tafili është një mesfushor me tipare shumë të mira në organizimin e lojës por edhe një futbollist që i godet mirë portata kundërshtare teksa jo më kot ka shënuar edhe 5 gola gjatë këtyre muajve për këtë skuadër.
www.shkodrasport.com