Mesfushori i Vllaznisë, Alsid Tafili ka qenë ndër futbollistët më në formë gjatë këtij sezoni në radhët e kuqebluve. Falë një përgatitje të kënaqshme fizike, ai është shfaqur jo vetëm në mesfushë ku është edhe sektori i tij, por mjaft aktiv edhe në veprimet mbrojtëse dhe po aq edhe ato sulmuese. Kjo ka bërë që, Tafili të konsiderohet nga të gjithë si “motorri” i formacionit kuqeblu. Ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës, futbollistë dhe staf, edhe Tafili është entuziast se Vllaznia ka për të bërë një paraqitje mjaft të mirë të dielën në kryeqytet një ndeshje mjaft të mirë. “Ndonëse nuk jemi në pozitë të barabarta, mos u çudisni nëse në përfundim të ndeshjes, Vllaznia do të jetë fituese”, shprehet për “Sport Ekspres”, mesfushori Tafili, i cili ndër të tjera thotë se kuqeblutë janë mësuar të arrijnë rezultate pozitive në stadiumin “Qemal Stafa”.

Goli – Për këtë ai thotë se referuar historisë së futbollit shqiptar, Vllaznia gjithmonë ballafaqimet në “Qemal Stafa” i ka zhvilluar në mënyrë të përkryer, ndërkohë që bën me dije se aq më tepër tani që edhe terreni është rikonstruktuar dhe të lejon të luash futboll. Ndërkohë, duke i kujtuar se është pikërisht ai që na fazën e parë të kampionatit i shënoi një gol Partizanit duke i marrë tre pikët, Tafili e ka gati përgjigjet: “Në fakt gjatë të gjithë këtyre ditëve është duke mu kujtuar vazhdimisht goli që i shënova portierit më të mirë të kampionatit, Alban Hoxhës së Partizanit, ndërkohë, pse jo ta përsërisim edhe të dielën ndaj Tiranës”, shprehet Tafili. Ndërsa, në lidhje me rezultatin e takimit, Tafili pohon se ashtu si edhe në të gjitha ndeshjet e tjera, Vllaznia ka në objektiv marrjen e tre pikëve, por gjithsesi duke pasur parasysh forcën e kundërshtarit dhe motivin që ajo në pretendimet për titull, ai është i mendimit se edhe me një pikë do të ishin të kënaqur.