Kthimi I tij tek Vllaznia sigurisht që ka qenë një dëshirë e madhe e lojtarit. Në fillim të verës kjo nuk ndodhi ngaqë askush nuk pati besim tek vlerat e tij. Alsid Tafili, shkodrani 25 vjeçar megjithatë ia doli që në ditët e fundit të gushtit të jetë pjesë e skuadrës kuqeblu. Largimi I Edon Hasanit drejt Bullgarisë, I hapi rrugë kthimit të tij. Kuptohet që askush nuk e mendonte titullar. Thjesht për t’I bërë një vend, thjesht për t’I plotësuar një dëshirë dhe si rezervë që mendohej të ishte, do kishte edhe rrogën e tillë. Por nuk do kalonte shumë kohë kështu.
Në ndeshjen e javës së dytë, atë që Vllaznia luajti në Kukës, Tafili hyri në fushë në minutën e 70-të në vend të Nallbanit dhe që pas asaj ndeshje nuk do dilte më nga formacioni teksa trajneri Duro I ka besuar vendin e titullarit në katër ndeshjet e rradhës, madje me nga 90 minuta të plota. Ndonëse mesfushori shkodran në fillim ka ardhur tek Vllaznia pa një fazë të mirëfilltë përgatitore, ndonëse po luan jo në rolin e tij të preferuar, atë të organizatorit apo pas dy sulmuesve, ai edhe para mbrojtjes është munduar të japë gjithnjë më të mirën. Me aktivizimin e tij në mesfushë, edhe loja siç thonë futbollistët e tjerë të kësaj skuadre, ka filluar të luhet më shtruar. Sigurisht që kjo është diçka positive ndonëse disa prej tifozëve mund të jenë habitur që ky lojtar po I luan ndeshjet të gjitha nga 90 minuta. Trajneri ka besim tek aftësitë e tij dhe për më tepër nga ky lojtar pritet më shumë në të ardhmen. Sidomos në pasin e fundit. Duket qartë se Tafili ende nuk e ka fituar besimin në vetvete ngaqë frika e humbjes së vendit të titullarit, e rëndon jo pak dhe kjo nuk e lë të dalë në lojën e tij. Por megjithatë nga ndeshja në ndeshje ai po rritet në të gjitha drejtimet dhe sigurisht që është zbulimi I mesfushës së Vllaznisë këtë sezon. Kjo ngaqë ai po luan në vend të disa lojtarëve që kanë ardhur për të qenë titullarë dhe nuk po bëjnë asgjë ndërkohë që paguhen shumë më tepër sesa shkodrani 25 vjeçar që ka luajtur në kampionatin shqiptar edhe me Laçin, Teutën ndërkohë që është aktivizuar edhe në Kosovë me Lirinë e Prizrenit dhe në Greqi me Panionios.
www.shkodrasport.com