Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Altin Rraklli, mendon se SIlvinjos i duhet dhënë koha e duhur që të punojë me zgjedhjet e reja që ka bërë për grupin kuqezi dhe më pas të bëhen kritika. Ai nuk sheh situata të pakëndshme brenda grupit për shkak të zgjedhjeve të trajnerit, pasi është i bindur se nuk ka hatërmbetje nga futbollistët.
Duke analizuar situatën e Kombëtares në “Sport News”, në “News 24”, Rraklli shpjegoi në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa se e sheh si një lajm fantastik grumbullimin e lojtarëve të Superiores nga trajneri i kuqezinjve.
Altin, menduam se lista e parë post “Euro 2024” do ishte një listë pajtimi, një listë që do zbuste disi ambientin, por bëri më shumë zhurmë. U lanë jashtë lojtarë si Uzuni, Muçi, Bare, etj, u afruan disa lojtarë të Superiores, çfarë të bëri më shumë përshtypje?
Ne bëjmë polemika gjithmonë para ndeshjeve, normalisht që ka diskutime. Më mirë se trajneri askush nuk e di gjendjen e lojtarëve. Ne na takon pas ndeshjeve të flasim nëse ishte zgjedhja e duhur apo jo. Është trajneri që vlerëson lojtarët në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje. Ne mund të flasim në distancë por vetëm kaq.
Ndalemi pak te disa individë, Uzuni psh. “E shohim si qendërsulmues” theksoi Silvinjo, ndaj nuk e morëm as në Evropian, të duket korrekt si arsyetim?
Deri diku është e vërtetë që e ka parë të tillë, pasi ka luajtur në majë të sulmit. Nga krahët nuk ka dalë në lojën e vet. Në rastin e Uzunit, është sulmues i mirëfilltë dhe tekniku e shikon si të tillë. Uzuni, nga mungesa e Brojës, është kthyer si sulmues kryesor.
Nuk u preferua as Muçi, një lojtar me shumë klas, por që duket në momentin e tij më të vështirë. Nuk i dolën në krah siç bëmë me Brojën, që edhe pse pa asnjë minutë në këmbë i besoi në Europian….
Janë dy raste të kundërta. Muçi është një lojtar që nuk luan në pozicionin e vet, me Kombëtaren luan në pozicion tjetër. Sipas analizës së tij, ai u përpoq që ta bindë, edhe ato deklarata të trajnerit kanë kontradiktat e veta.
A do të ndikojnë qejfmbetjet e Europianit në këtë aventurë të re, sepse Uzuni u la jashtë, Ismajli nuk luajti asnjë minutë etj. A ndikojnë këtë situata? Nuk besoj se Uzuni do ta ketë të lehtë…
Unë mendoj që çdo lojtar mezi pret grumbullimin në kombëtare. Edhe unë kam patur hatërmbetje, por ishim më të paktë në numër. Tani kanë ndryshuar gjërat. Nuk besoj se ka vend për hatërmbetje.
A duhet të ishte Silvinjo më i qartë në këtë post Europian, a ndikojnë këto zgjedhje? A ndikon kjo zhurmë në dhomat e zhveshjes?
Nuk besoj se ka zhurmë në dhomat e zhveshjes, nuk ka zhurmë. Edhe disa mos-grumbullime u kaluan pa zhurmë, u mor si thjesht një zgjedhje ose më shumë një zgjedhje taktike, sesa diçka personale. Nuk ka probleme te Kombëtarja.
Nuk na gjen në kushtet më të mira ky grumbullim, pjesa më e madhe e legjionarëve duke nisur nga Seferi, Bajrami, ndryshuan destinacion, Hysaj u nxor fare nga ekipi, do qëndrojë në tribunë. Ndërsa pjesa tjetër ishin me “valixhe në duar”. Sa do të ndikojnë këto detaje për dy ndeshjet e para?
Në stadium të tërheq gjithçka, himni, apo edhe shumë gjëra të tjera. Shpresoj që këta lojtarë që janë grumbulluar të jenë në formë. Nëse jemi në formë, mund të marrim rezultate pozitive.
Ndërkohë janë afruar lojtarë të rinj, produkte vendase si portieri Sherri, Hadroj, Spahiu, Zeka. A është kjo më shumë si një lëvizje për të rritur imazhin e futbollit vendas, se sa lojtarë që realisht mund të gjejnë hapësira?
Para Europianit kam thënë se Sherri duhej grumbulluar, edhe thjesht për të dhënë një shkëndijë. Më mirë vonë se kurrë. Kampionati shqiptar ka prodhuar gjithmonë lojtarë, ky lajm është fantastik.
A është kjo një listë për të fituar këto dy ndeshje në Ligën e Kombeve, apo një listë për të vijuar eksperimentin, për të vijuar rritjet e Kombëtares? Edhe pse Silvinjo theksoi se e urren termin eksperiment…
Unë nuk e shikoj si eksperiment. Nëse e shikojmë grumbullimin e Hoxhës, të gjithë e panë me skepticizëm, por ne fituam një lojtar. Silvinjo kërkon të fitojë lojtarë. Unë besoj se objektivi i radhës është përgatitja për kualifikueset e Botërorit.
Sa e vështirë do të jetë që të ruajmë të njëjtin standard, sa e vështirë do të jetë të përformojmë në nivele të larta? Besoj tani janë rritur dhe pritshmëritë, kjo u pa dhe nga kontrata e Silvinjos, ku kishte një kusht të qartë, kualifikimin për në Botëror….
Dihet që kualifikimi në Botëror është më i vështirë se Europiani. Ne kemi mundësi që të shkojmë atje. Këto ndeshje janë si përgatitëse për kualifikuese.
E nisim me Ukrainën, një përfaqësuese që e mbylli Europianin në vend të fundit në grup, por me 4 pikë. Çfarë ndeshje pret?
Janë ekipe të forta, kanë mjaft cilësi.
Ndërkohë ndeshje e dytë luhet në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë, skuadër që ju i keni shënuar. E mban mend atë gol?
Gjeorgjia më është dukur një skuadër cilësore, të paktën kështu e shikoj unë. Kemi 3 skuadra përballë nesh, ku mund të tregojë forcat tona. Ky është rasti jonë, sidomos dy ndeshjet e para. E mbaj mend golin, në “Qemal Stafa”, kam goditur nga larg. Ishte ndeshje pa rëndësi. Në atë kohë ishte pak më e dobët.
Përpara Europianit do ishim të kënaqur me këtë grup, por Gjeorgjia sikur i trazon pak kartat?
Gjeorgjia ka patur probleme, por është rritur këto vitet e fundit. Edhe kampionati është përmirësuar. Po bëhet një punë e mirë, shkollën e ka. Kanë patur një brez të mirë. Ne nuk jemi mbrapa, ne kemi grup lojtarësh, ata kanë individë.
Sa shanse i jep Shqipërisë për ta fituar këtë grup?
Jam shumë kurioz ta shikoj Shqipërinë në ndeshjen e parë. Nuk mendoj dot ndryshe, përveç se vendit të parë. Nga ana realiste, edhe vendi i dytë është i mirë. Gjithçka varet nga forma e kundërshtarëve dhe natyrisht forma jonë.
Në fund, një pyetje jashtë teme, të duket normale të kërcënohet një president, këtë rast kreu i FSHF? Mund të ndodhë atje në Gjermani, apo atje nuk e njohin fare se kush është presidenti i Federatës?
Unë nuk e di rastin. Mund të jetë një nerv i çastit. Ne shqiptarët acarohemi ndonjëherë dhe themi diçka më shumë.