Nga Maringlen ZHIVANI

“Djelmnia Shkodrane” është një nga Akademitë më serioze që funksionon në futbollin e moshave në Shkodër. Prioriteti i punës së kësaj Akademie është rritja e futbollistëve, si nga ana sportive e po ashtu edhe në atë edukative. Një nga trajnerët e “Djelmnia Shkodrane”, i mirënjohuri Altin Xhahysa, i ftuar në emisionin “Star Sport” në TV Star Plus, foli edhe për punën që bëhet me ekipet e kësaj Akademie.

“Të them të drejtën deri në këto momente, jam i kënaqur me punën tek “Djelmnia Shkodrane”, duke parë edhe interesin e madh që ka presidenti Bernardin Kulla dhe administratori Fatmir Marku. Ata janë të angazhuar shumë te cilësia e futbollistëve dhe e them sinqerisht që mua nuk më interesojnë rezultatet te grup-moshat e vogla. Detyra jonë është që të rrisim cilësinë e futbollistëve. Kjo është ajo ku ne përqëndrohemi tek “Djelmnia Shkodrane”.

Kemi futbollistë cilësorë që nesër ose pasnesër mund të jenë të gatshëm për Vllazninë apo çdo ekip tjetër të mundshëm. Pra, kryesorja te “Djelmnia Shkodrane”, aty ku unë punoj, është cilësia e futbollistëve dhe kjo është gjë pozitive. Ne stërvitemi dhe luajmë në fushë me bar natyral, ndryshe nga Akademia Vllaznia që është shumë shqetësuese. I dimë të gjithë dëmtimet që kanë kaluar futbollistët e ndryshëm në “Reshit Rusi”.

Stërvitja dhe zhvillimi i ndeshjeve në fushë me bar natyral është diçka tjetër pozitive tek “Djelmnia Shkodrane”. Kjo është bërë e mundur nga presidenti Kulla, që ka marrë fushën me qera dhe paguan çdo gjë rregullisht çdo muaj. Ai është shumë i interesuar që në ekipet e Djelmnisë Shkodrane, të dalin futbollistë që në një të ardhme të afërt të kenë vlerën edhe për Djelmninë Shkodrane dhe për Shkodrën si qytet. Janë të ardhura edhe për të personalisht. Këtu këmbëngulim ne më tepër.

Bernardin Kulla, përveçse president i Djelmnisë Shkodrane, është edhe menaxher i futbollistëve të njohur shqiptarë, siç është rasti i Mario Mitajt. Të them të drejtën, deri në këto momente, te “Djelmnia Shkodrane” kemi shumë gjëra pozitive. Kemi edhe shumë futbollistë që momentalisht po ndiqen edhe nga ekipe të huaja”,-tha trajneri Altin Xhahysa në emisionin “Star Sport”.