Ish-kampion me Vllazninë si futbollist e sot një trajner i njohur në qytetin tonë, Altin Xhahysa ka komentuar për fitoren e fundit të kuqebluve.

Ish-sulmuesi ka vlerësuar shumë lojën dhe nivelin që paraqitën 9 herë kampionët e vendit në ndeshjen kundër Erzenit. Po ashtu Xhahysa theksoi se ekipi duhet ta mbajë këtë ritëm dhe të krijojë vazhdimësi.

Xhahysa tha: “Ishte një ndeshje kundër Erzenit ku Vllaznia u shpreh në mënyrën më të mirë të mundshme. Për herë të parë këtë sezon mund të them se pamë një Vllazni reale, sulmuese e ashtu siç e kërkon publiku shkodran. Dua të vlerësoj trajnerin Seldoski, ku e pranoj që nuk ka “shkopin magjik”, por ka ndryshuar diçka.

Jo vetëm në aspektin taktik dhe mënyrën se si u interpretua loja nga futbollistët, por edhe në atë moral. Pashë një Vllazni plot ego, dëshirë dhe grintë. Faktorë që të ndihmojnë shumë për të fituar një ndeshje, por edhe shumë të rëndësishëm në këtë periudhë. Pasi është fundi i kampionatit dhe çdo ndeshje është një finale më vete.

Uroj që kjo performancë të jetë e vazhdueshme. Ekipi të krijojë një balancë vazhdimësie që i ka munguar në këtë edicion. Por jam i sigurtë që skuadra dhe stafi i ri do arrijnë të përputhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam ende besim se kjo skuadër mund të bëjë mirë deri në fundin e këtij edicioni që ka qenë plot ulje e ngritje”.
Endri ÇINARI