Altin Xhahysa, ish-kampion me Vllazninë dhe një prej trajnerëve të njohur të futbollit në qytetin tonë ishte i ftuar mbrëmë në rubrikën e Star Sport. Ish-sulmuesi foli për barazimin e fundit që mori Vllaznia në Rrogozhinë.

Ai theksoi se skuadrës i mungoi ritmi dhe fantazia e ndërsa po ashtu tregoi se ka besim tek skuadra. Kjo pasi kuqeblutë janë ende brenda objektivave dhe po lufton në çdo front për tituj.

Xhahysa tha: “Një barazim në transfertë është gjithmonë ndoshta i vlefshëm dhe në një fushë të vështirë si Rrogozhina. Pavarësisht se Vllaznia ka pretendime për titullin kampion dhe ndoshta kërkohen 3 pikët në çdo ndeshje. Por kundër Egnatias u duk se mungoi ritimi apo edhe grinta dhe dëshira e futbollistëve.

E them prej kohësh që ekipit i mungon fantazia, ai numri “10-të” i famshëm. Kjo sepse 3 mesfushorët qëndrorë nuk japin atë fantazi dhe kreativitet që ndoshta kërkohet. Në idenë time ndoshta edhe Esat Mala mund të luajë në rolin e mesfushorit pas sulmuesit, besoj se do ishte një opsion shumë i vlefshëm. Por këto janë zgjedhje që i takojnë trajnerit Josa.

Por gjithsesi ky barazim nuk duhet bërë dramë sepse ekipi është brenda çdo lloj objektivi. 5 pikë me vendin e parë nuk janë shumë sepse në lojë janë edhe 45 pikë të tjera. Besoj se këto dy ndeshje të rradhës kundër Kastriotit dhe Teutës do jenë goxha përcaktuese për objektivin titull që kanë shkodranët”.
Endri ÇINARI