Pavarësisht luhatjeve të javëve të fundit në lojë dhe rezultat, Vllaznia shpreson ende në arritjen e objektivit për të qenë pjesëmarrëse në Kupat e Europës. Një gjë të tillë e ka pohuar në një bisedë për gazeten edhe një prej lojtarëve më me eksperiencë në radhët e kuqebluve, Amarildo Belisha. Ai ka mbrojtur skuadrën e tij, ndërsa u është përgjigjur indirekt të gjithë kritikëve dhe skeptikëve, të cilët e quajnë sezonin e Vllaznisë të dështuar. “Vërtet nuk jemi në pozitat e duhura për objektivat që kemi, por nuk jemi as larg asaj që ndryshe quhet Europë.
E kemi nisur fazën e dytë mirë, por deri më tani kjo, edhe për mungesë fati, na mungon edhe ndonjë pikë më shumë, që do të ishim mes katër më të mirëve të Superiores. Megjithatë diferenca nuk është e madhe, për më tepër kur mendon se kemi ende shumë javë në dispozicion. Unë e shikoj Vllazninë në Kupat e Europës dhe vendi i katërt është plotësisht i arritshëm. Mirëpo matematika na lejon të shpresojmë dhe pretendojmë edhe më shumë se kaq”, – është shprehur fillimisht mesfushori shkodran.
Grupi – Përveç traditës që ka skuadra e Vllaznisë, për Belishën ka shumë rëndësi fryma e grupit dhe përbërja e tij. Për mesfushorin, në këtë aspekt, kuqeblutë kanë një plus më shumë se ekipet e tjera pretendente për në Europë. “Kemi një grup futbollistësh shumë të mirë, ku në përbërje, përveç cilësisë, janë të harmonizuar mjaft mirë edhe vrulli rinor me eksperiencën e lojtarëve. Gjithashtu fryma e grupit është një tjetër aspekt pozitiv te Vllaznia, gjë që do ta shfaqim edhe në javën e vazhdim, duke marrë rezultatet e dëshiruara dhe për ta mbyllur sezonin aty ku ne synojmë. Për këtë nuk do të ketë asnjë pikë dyshimi, pavarësisht se vështirësitë shtohen në këtë drejtim nga java në javë. Kjo edhe për faktin se konjukturat apo pazaret e ndryshme në kurriz të Vllaznisë mund të jenë të pashmangshme”.
Tomori – Në kampin kuqeblu janë të bindur se do të marrin tri pikë në ndeshjen e radhës, ndërsa do të presin në shtëpi Tomorin. Kjo skuadër thuajse “de fakto” ka rënë nga kategoria dhe për shkodranët nuk do të jetë aspak problem fitorja. Këtë mendim ka edhe Amarildo Belisha, megjithëse kërkon vëmendjen e duhur ndaj beratasve. “Në këtë fazë që jemi, jo Tomori, që ndodhet në vendet e fundit të tabelës, por çdo skuadër tjetër nuk do ta falim në Shkodër. Tri pikët do të jenë të padiskutueshme në favorin tonë. Madje llogaritë me beratasit t’i mbyllim që në pjesën e parë, për të mos lënë asnjë shpresë ndokujt për të tentuar ndonjë surprizë të pakëndshme. Fitorja ndaj Tomorit është thjesht një detyrë shtëpie që do ta realizojmë, duke menduar për ndeshjet e ardhshme, me synimin e vetëm: Kupat e Europës”.
Admir URUÇI