Amarildo Belisha, një nga emrat që ka kontribuar me sukses për më shumë se një dekadë me Vllazninë, ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Ish-mesfushori ka analizuar në detaje ndeshjen e fundit të kuqebluve kundër Dinamos, ku thekson se kuqeblutë morën maksimumin për mënyrën sesi shkuan ngjarjet. Ndër të tjera ai thotë se Vllaznia duhet të tentojë të dy trofetë këtë sezon, duke pasur parasysh se skuadra i ka mundësitë dhe grupin për ta bërë diçka të tillë.

Belisha, një barazim 0-0 në ndeshjen e fundit kundër Dinamos, i drejtë për Vllazninë?

Mendoj se Vllaznia mori maksimumin nga kjo ndeshje për mënyrën sesi shkoi takimi. 90-minutëshi mund të kishte çdo rezultat brenda, por fati dhe loja e të dy skuadrave e deshi që ndeshja të përfundonte në barazim. Të dyja ekipet kishin shanset e tyre, ku theksoj se Vllaznia i kishte më të pastrat dhe një prej tyre ishte me Mensah, i cili po të ishte më i ftohtë, besoj se do t’i jepte 3 pikët skuadrës.

Java e 26-të e gjen Vllazninë kundër Elbasanit, si e parashikoni?

Elbasani ka pasur oshilacione gjatë këtij sezoni, ku ka shfaqur lojëra të mira disa herë, por edhe shumë të dobëta në herë të tjera. Nuk më janë dukur një ekip me stabilitet dhe vazhdimësi, pavarësisht se kanë cilësi në skuadër dhe nuk duhen nënvlerësuar. Unë besoj te forca dhe forma e Vllaznisë dhe jam i mendimit që kuqeblutë do t’i kalojnë me sukses të dyja duelet ndaj verdhebluve, si në kampionat këtë fundjavë, ashtu edhe në kupë në mesjavën që vjen.