Vllaznia në volejboll për të reja nesër pritet që të shpallet sërish kampione e Shqipërisë për të dytin vit me rradhë. Hapin e parë e ka hedhur të mërkurën në Shkodër ndërkohë që tashmë gjithçka pritet të mbyllet në ndeshjen e nesërme në Korçë ndaj Skënderbeut. Po cilat janë disa nga protagonistet kryesore të këtij ekipi? Padyshim që ndër lideret e tij është organizatorja Amela Qershia. Duke luajtur në një pozicion delikat, atë të organizatores, kjo lojtare ka rënë në sy për zgjuarsinë e treguar në çdo ndeshje dhe jo më kot, prej gati një viti është afruar tek ekipi i parë sepse konsiderohet një element shumë i nevojshëm për të.
Puna e nisur me trajneren e mëparshme, të ndjeren Alda Kaçorri, po vazhdon tashmë me trajneren e ekipit të parë Sadije Gogaj dhe Amela po vjen duke e rritur rendimentin e saj në çdo ndeshje. Duke qenë se ka ende moshën për të luajtur me ekipin e të rejave, padyshim që ajo është bërë pjesë e tij në ndeshjet e play off-it dhe po shkëlqen me lojërat e saj. Trajneri i këtij ekipi Adrian Mikopli duke folur për gazetën “Shkodra Sport” në lidhje me këtë sportiste, deklaron: “Kemi të bëjmë me një lojtare shumë të zgjuar e cila e bën jashtëzakonisht mirë detyrën e saj si organizatore për të vënë në lëvizje ashtu si duhet të gjithë ekipin. Nga sa kam parë edhe në ekipet e tjera, jam i bindur se brenda dy vitesh, Qershia ka për t’u bërë një nga organizatoret më të të mira të të gjithë kampionatit shqiptar”. Në fakt Mikopli ka të drejtë. Kjo sepse në dhjetor të vitit të kaluar, kombëtarja shqiptare e të rriturave mori pjesë në një turne miqësor në Luksemburg dhe trajneri Martiro kishte bërë pjesë të saj edhe Amelën sepse e kishte ndjekur në disa ndeshje dhe ishte bindur për aftësitë e saj ndonëse atëherë ishte vetëm 16 vjeçe. Në këtë mënyrë, karriera e kësaj sportisteje ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për këtë arsye, pritet që shumë shpejt, të bëhet një emër i spikatur jo vetëm i ekipit të Vllaznisë por edhe i kombëtares shqiptare.
© shkodrasport.com