Ai është vetëm 18 vjeç, por ditën e djeshme ka debutuar me ekipin e parë të Vllaznisë. E kemi fjalën për mbrojtësin e djathtë të kuqebluve, Amir Brahimi i cili u aktivizua disa minuta në fundin e ndeshjes së kupës ndaj Flamurtarit që u mbyll në shifrat 4-0 për ekipin shkodran.

Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, lojtari i ri thotë se ka realizuar vetëm një ëndërr, por ka edhe shumë të tjera përpara dhe që do të punojë fort për t’i realizuar.

“Kisha shumë emocione, pasi është një gjë e madhe të luash me Vllazninë. Akoma nuk më besohet se kam debutuar me ekipin e parë, por me punë mund të arrihet çdo gjë. Natyrisht që emocionet ishin të mëdha, por u mundova të jap maksimumin për të ndihmuar ekipin. Sigurisht që kjo do të jetë një datë e paharrueshme për mua, pasi ka qënë gjithmonë një ëndërr e imja, e cila më në fund u realizua.

Jam shumë i kënaqur edhe për fitoren, pasi po punojmë me të vërtetë shumë si ekip dhe do të mund të arrijmë shumë. Synimi im është të jem titullar me Vllazninë dhe të arrij kombëtaren. Falenderoj me të vërtetë shumë trajnerin që ma dha këtë mundësi.

Të zëvëndësosh Balajn është diçka e veçantë, pasi është një lojtar shumë i madh dhe jam me të vërtetë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi me lojtarë të mëdhenj e me eksperiencë të madhe”- është shprehur Amir Brahimi./SHKODRA-SPORT.COM/