Trajneri i Mançester Junajtid, Ruben Amorim, shpreson që pas fitores së parë në stol, e cila erdhi në Ligën e Europës, të festojë edhe të parën në Premier Ligë me “Djajtë” të cilët këtë fundjavë luajnë kundër Evertonit do të drejtohen në të dytën ndeshje nga Amorim në kampionat, pasi debutoi kundër Ipsuiçit javën e shkuar.
“Duam fitore. Unë shpresoj të fitoj. Do të jetë një ndeshje ndryshe me shumë luftime, topa të gjatë, topa të dytë. Kanë një trajner cilësor që kupton ligën dhe momentin e kundërshtarëve. Duhet ta kemi topin, sepse kemi pak kohë për t’u rikuperuar dhe duhet të bëjmë rotacion. Shpresoj që të fitojmë dhe shoh gjëra të ndryshme në ekipin tim, të përmirësohemi siç bëmë nga Ipsuiçi e deri më tani. Me Evertonin shkojmë pa stërvitje, por pres të shoh gjëra të ndryshme”.
Trajneri portugez u ndal të komentonte edhe formën e Digo Dalosë, duke e quajtur një futbollist shumë të rëndësishëm për Mançesterin: “Ai është shumë i fuqishëm. Duhet ta kursejmë ndonjëherë. Sepse pavarësisht se ai duket gjithmonë i freskët, nuk është ashtu, nuk është një makinë. Ai luan më mirë në të djathtë dhe ne do të arrijmë ta vendosim në të djathtë.
Ai është një lojtar shumë i mirë, shumë i fuqishëm, që mund të luajë në të dyja krahët. Në ditët e sotme, një lojtar që mund të luajë në të dyja krahët është perfekt, sepse mund ta vendosësh në pozicione të ndryshme. Unë pres të njëjtën gjë siç e patë vitin e kaluar, një lojtar të madh që mund të ndihmojë ekipin. Ai është një futbollist skuadre. Unë mund ta ndjej atë. Ai është shumë i rëndësishëm për ne në çdo ndeshje.