Trajneri i Mançester Junajtidit, Ruben Amorim, thotë se është “në nxitim” që skuadra e tij të përmirësohet dhe të rivalizojë sërish për titujt e Premier Ligës.
Portugezi u pyet për këtë temë përpara ndeshjes kundër kampionëve aktualë, Mançester Sitit në derbin e Mançesterit. Lajmet në shkurt sugjeruan se drejtuesit e klubit kishin prezantuar një plan të quajtur “Misioni 21”, i cili synon të ndihmojë klubin të fitojë titullin e tij të 21-të deri në vitin 2028. Megjithatë, Amorim shpreson për sukses më herët dhe synon të shohë përmirësime të dukshme në sezonin e ardhshëm, i cili fillon pas më shumë se katër muajsh.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, ai tha: “E kuptoj, por nuk jam naiv. Nuk dua të mendoj se na duhen shumë vite për të qenë konkurrues. Nuk mund ta menaxhoj kështu, nuk është në natyrën time. Prandaj po i vë presion vetes. E di që nuk do të jemi sfiduesit kryesorë vitin e ardhshëm ose pas dy vitesh. Po ndryshojmë shumë gjëra brenda klubit dhe e dimë që do të kërkojë kohë, por nuk do të them se më duhen shumë vite. Sezoni i ardhshëm është objektivi ynë. Nuk po them se do ta fitojmë titullin vitin tjetër, nuk jam i çmendur. Por nuk dua të them që na duhen vite dhe duhet ta marrim shtruar. Jo, ne jemi në nxitim. Po punojmë shumë që sezoni tjetër të jetë shumë më i mirë. Nuk dua të jem ai trajneri që rri këtu dhe thotë se na duhet shumë kohë. Dua të fokusohem te pikat tona të forta dhe të përdor klubin për të sjellë një ose dy lojtarë të mëdhenj. Nuk mund të menaxhoj duke menduar se pas tre vitesh do të provojmë diçka. Për mua, gjithçka fillon sezonin e ardhshëm. Duhet të jemi shumë më të mirë, sepse ky është një klub i madh dhe dua t’i vë presion vetes dhe të gjithëve këtu”.
SITI – Sot, Amorim do të drejtojë për herë të parë “Djajtë” në derbin e Mançesterit në shtëpi, por ai tashmë e ka mundur skuadrën e Pep Guardiolës këtë sezon. Junajtid fitoi 2-1 në dhjetor në Premier Ligë falë një goli të vonë nga Amad Dialosë. Ajo fitore erdhi në një periudhë të dobët për Sitin, ku ata kishin vetëm një fitore në 13 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
I pyetur nëse mendon se Siti është rikthyer që atëherë, Amorim u përgjigj: “Jam më shumë i fokusuar te problemet tona. Ne kemi probleme më të mëdha se Mançester Siti. Ata patën atë seri rezultatesh në atë moment, por janë përmirësuar. Mund të luajnë në mënyra të ndryshme dhe është e vështirë të parashikosh sesi do të luajnë me ne. Ata kanë ndoshta trajnerin më të mirë në botë dhe lojtarë të nivelit më të lartë, kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë. Por unë jam shumë i fokusuar në përmirësimin e ekipit tonë dhe jo në përmirësimet e Sitit”.
Portugezi u bë trajneri i parë pas Sër Aleks Fergusonit që fitoi derbin e tij të parë të Mançesterit, por ai nuk e quajti momentin më të mirë i tij në klub deri tani.