Ardhja e tij dhe e katër këshilltarëve të tjerë në krye të Vllaznisë në këto momente, ka sjellë një ndryshim tërësor tek ajo. Xhevdet Amuli ndjehet i kënaqur për këtë. Natyrisht ai është zgjedhur kryetar i Bordit Mbikëqyrës ngaqë ka përvojë më shumë se të gjithë anëtarët e tjerë të tij ngaqë ka qenë edhe më parë në rolin e zëvendëspresidentit të klubi.
Për të, e rëndësishme është që Bordi po funksionon dhe tashmë në të por edhe në mbledhjet e Këshillit Bashkiak nuk flitet më për politikë në këtë çështje. Anëtarët i takojnë grupimeve të ndryshme partiake dhe ata tashmë janë në dijeni të gjithë asaj çfarë ndodh tek Vllaznia. Duke folur në lidhje me ecurinë e fundit dhe dy fitoret e arritura, Amuli do të shprehej kështu për gazetën: “Kanë qenë dy fitore të rëndësishme që kanë kthyer krejtësisht besimin tek skuadra dhe tek futbollistët. Normalizimi i disa gjërave në drejtimin e klubit, garantimi i pagesave dhe akordimi i disa premiove, ka motivuar shumë më tepër futbollistët që përgjithësisht kanë luajtur mirë por natyrisht që ne të gjithë presim më shumë prej tyre. Nëse ndaj Flamurtarit ishte një lojë shumë e mirë, ndaj Apolonisë sidomos në pjesën e dytë u vërejtën shenja të lëshimit të lojës dhe kjo nuk duhet të ndodhë më. Megjithatë rëndësi ka që i morëm këto dy fitore dhe tashmë jemi në pozita disi më komode”. E nëse Bordi i ri po përpiqet në maksimum për t’i plotësuar skuadrës çdo nevojë, anëtarët e tij kërkojnë maksimumin edhe nga futbollistët në fushën e stërvitjes por edhe në ndeshje. Vëmendja është përqendruar tek sfida e rradhës, ajo që do të luhet ditën e dielë në Elbasan ndaj skuadrës vendase. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, kryetari i Bordit Amuli do thoshte: “Kjo është një ndeshje shumë shumë e rëndësishme. Kurrsesi nuk duhet të dalim të mundur, madje as barazimin nuk duhet ta llogarisim pavarësisht se ne e vlerësojmë edhe kundërshtarin. Por në skuadër kemi lojtarë me më shumë kualitet sesa Elbasani dhe prandaj duhet ta fitojmë këtë takim. Premioja që kemi vënë është një arsye më shumë për t’i motivuar këta futbollistë dhe prandaj ne presim trepikëshin edhe në këtë ndeshje”. Objektivat janë të qarta por kuptohet vetëm ato momentalet. Kjo sepse Vllaznia duke shpresuar në kalimin me sukses të ndeshjes me Elbasanin, pas këtij takimi do të shpallë edhe pikësynimet e mëtejshme në kampionat. Me kujdesin që po tregohet për skuadrën çdo gjë mund të arrihet. “E rëndësishme njëherë është të kalojmë me sukses Elbasanin që unë e konsideroj një finale. Pasi të ketë ndodhur kjo, do bëjmë publik edhe objektivat e ardhshëm të skuadrës. Kurrsesi nuk mund të lejojmë që Vllaznia të kënaqet me sigurimin e qëndrimit në Superligë. Kjo skuadër ka një emër të madh në futbollin shqiptar dhe si e tillë duhet të shfaqet në çdo ndeshje, përballë çdo kundërshtari”- ka thënë në fund Amuli. Përpos këtyre deklaratave, ai ka deklaruar se Bordi Mbikëqyrës është duke bërë maksimumin për t’i plotësuar skuadrës anën financiare. Për këtë po punohet çdo ditë dhe lajme të mira duket se vijnë. Megjithatë duhet të presim edhe pak ditë.
Gjergj KOLA