Vendi i mbetur bosh në pankinën e ekipit të volejbollit të të rejave të Vllaznisë nga largimi i trajnerit Adrian Mikopli për tek të rriturit, është plotësuar brenda pak ditësh. Trajnerja e re është Ana Gjelaj, ish- volejbollistja e njohur e Vllaznisë por edhe e kombëtares shqiptare. Prezantimi me ekipin e të rejave është bërë nga ana e inspektorit të lojërave me dorë në klubin Vllaznia, Beniamin Idrizi.

Trajneria Ana Gjelaj ka shprehur kënaqësinë e marrjes së kësaj detyre, ndërkohë që premtoi se do të punojë me përkushtim që titulli i fituar për dy vite radhazi nga kolegu Mikopli të jetë përsëri pronë e Vllaznisë për të reja.Më pas Gjelaj, garanton se në punën e saj do të përkushtohet për trajtimin dhe përgatitjen me sa më cilësi të elementit të ri në mënyrë që ato të jenë bazë për Vllazninë e madhe. Kësisoj zinxhiri i trajnerëve tek ekipet e volejbollit plotësohet sërish dhe natyrisht që të gjithë shpresojnë që edhe sezoni i ardhshëm të jetë i suksesshëm, njëlloj si ky që sapo u mbyll e në të cilin ekipet e Vllaznisë fituan tre tituj kampionë.

© shkodrasport.com