Trajneri i kombëtares shqiptare të volejbollit të femrave Hasan Gurabardhi ka grumbulluar në këtë ekip edhe volejbollisten e Vllaznisë Ana Gjelaj. Pasuesja e këtij ekipi konsiderohet ndër më të mirat e kampionatit dhe për rrjedhojë, është thirrur nga ana e tij në një zbor dyditor që kombëtarja do zhvillojë. Trajneri Gurabardhi ka thirrur në këtë zbor plot 24 sportiste dhe pikërisht në bazë të paraqitjeve të tyre dhe formës që do tregojnë ato, do të bëjë edhe përzgjedhjen e 14 vajzave që do formojnë pastaj ekipin tonë kombëtar për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror që do zhvillohen në datat 23-26 maj në Ukrainë ku përveç kombëtares së këtij vendi, asaj të Shqipërisë, do jenë edhe edhe kombëtaret e Moldavisë dhe Hungarisë. Vetë grumbullimi në kombëtare i Gjelajt nga Vllaznia tregon për vlerësimin që stafi i kombëtares i ka bërë këtij ekipi por edhe kësaj sportisteje. Vllaznia në volejbol për femra e mbylli kampionatin e sivjetëm në vendin e gjashtë duke treguar rritje në krahasim me një sezon më parë madje trajneria Sadije Gogaj ka premtuar se sezonin e ardhshëm pretendimet do jenë edhe më të larta. Fakti që Ana Gjelaj grumbullohet edhe në kombëtare, tregon se ky ekip ka në rradhët e tij sportiste cilësore dhe që premtojnë shumë për të ardhmen.
www.shkodrasport.com