Hemoragjia e largimit të sportistëve cilësorë nga Shkodra nuk do ketë ndalje as në vitin e ri që sapo kemi nisur. 2012-a ka nisur në mënyrën më të keqe për klubin Vllaznia. Kështu, volejbollistja më e mirë e ekipit të femrave të Vllaznisë, njëkohësisht edhe kapitenia e këtij ekipi- Ana Gjelaj, ka marrë një ofertë nga skuadra e Tiranës dhe ajo prej disa ditësh ka filluar stërvitjen me këtë ekip. Në ditët e ardhshme pritet të firmoset edhe kontrata përkatëse. Vetë fakti që skuadra e Tiranës që kryeson kampionatin kombëtar të volejbollit për femra, kërkon të marrë këtë sportiste nga Vllaznia tregon për vlerat e saj. Ana Gjelaj luan sezonin e parë me të rriturat dhe menjëherë ka rënë në sy për lojën  e mirë të saj prandaj dhe drejtuesit e skuadrës bardheblu kanë insistuar ta kenë në rradhët e tyre. Ky është një lajm I mirë për këtë sportiste por jo për ekipin e volejbollit të femrave të Vllaznisë sepse Gjelaj është konsideruar jo më kot si gjysma e skuadrës. Me largimin e saj, problemet shtohen edhe më tepër për këtë ekip dhe për trajneren Sadije Gogaj.

www.shkodrasport.com