Ajo vetë merret me sport dhe është e kënaqur me zgjedhjen që ka bërë. Megjithatë, e shqetëson fakti që shumë bashkëmoshatare të saj, përkundër dëshirës së madhe që mund të kenë për t’u marrë me sport, nuk mundet ta bëjnë këtë gjë. Arsyeja? Kryesisht janë familjet që i pengojnë dhe një realitet aspak të bukur që po jetojmë ndonëse jemi në vitin 2012. Ana Gjelaj, kapitenia e ekipit të volejbollit të Vllaznisë nuk e ka aspak problem atë se çfarë mund të thonë të tjerët. Ndjehet e lumtur me atë çfarë bën, madje u bën apel edhe vajzave të tjera të merren me sport. “Në ekip kemi mbetur vetëm 8 vajza. Shumë të tjera që kanë qenë pjesë e ekipit tonë, ose e kanë lënë ose janë larguar. Nuk kanë asnjë interes për t’u marrë me sport dhe për më tepër, janë të ndikuara nga mentaliteti që ekziston në Shkodër për femrat sportiste. Paksa absurde të ndodhë kështu por ky është realiteti ndonëse jemi në vitin 2012. Shkodranët akoma mendojnë se është më mirë që mos me e lanë vajzën me shku në sport. Jemi shumë larg, jo Europës por edhe vendeve fqinje në këtë drejtim.Mjafton të shkosh në Mal të Zi dhe sheh ndryshime shumë të mëdha për këtë çështje.Përveç këtij problemi, është edhe mungesa e kushteve të tjera stërvitore dhe financiare dhe prandaj shumë vajza nuk parapëlqejnë të merren me sport. Unë e shoh të vështirë të ardhmen. Pse jo edhe në këtë kampionat. Mjafton dëmtimi i ndonjërës prej sportisteve dhe ne nuk bëhemi ndoshta as një ekip i plotë për të luajtur një ndeshje”-ka thënë kapitenia e Vllaznisë Ana Gjelaj.
www.shkodrasport.com