E nis këtë analizë timen me këtë metaforë të madhe, duke parë që ndeshja e djeshme i ngjante një loje shahu midis trajnerit çek Šilhavý dhe Sylvinhos. Padiskutim pritej që Çekia ta merrte lojën në kontroll dhe të sulmonte me të gjitha forcat, por Sylvinho tregoi që është një trajner i pjekur dhe e njeh skuadrën me detaje, në këtë mënyrë arriti të marrë një barazim me vlera, që kur të bëhen llogaritë për Euro 2024 do të jetë një pikë që na kujton ndeshjen në Danimarkë ku barazuam në kualifikimet e Europianit 2016. Ko pikë ka vlera të jashtëzakonshme dhe goli i Bajramit do të kujtohet për bukurinë dhe vlerën që pati.
Trajneri Sylvinho si një lojtar i mirë shahu, kur Çekia sulmonte dhe sidomos kur fitonte gjerësi nga krahët, kishte lënë detyrë Asanit dhe Seferit të tërhiqeshin deri në linjën e fundit dhe mbrojtja e ekipit tonë shpesh herë shkonte edhe me 6 në vijën e drejtë. Kjo më kujton “epokën De Biasi” ku ai shpesh luante me 6 mbrojtës, ku lojtarët anësore ktheheshin mbrapa.
Pika e djeshme ishte edhe një bast i fituar i trajnerit Sylvinho. Ndoshta nuk ishte ndeshja më e mirë e ekipit tonë, por diferencën e bëri 1 goditje individuale e Bajramit , që nga ndeshja ne ndehsje po e shfaq veten si një lider. Normalisht skuadra në tërësi ka meritë në pikën e arritur, sidomos faza defensive me kapitenin Gjimshiti, që i shkon edhe ai shirit kapiteni në krah. Në 2016 ai nuk ishte i preferuar i De Biasit në listën e Europianit, ndaj ai ka edhe nje bast me veten qe të gjithë duam ta fitojë.
Edhe mesi i fushës ishte i pakalueshëm, midis kualitetit dhe talentit. Ramadani, Asllani dhe Bajrami përpara tyre si “numër 10” është një miks me shumë potencial, gjithashtu edhe sulmi, ditë shumë e mire për Asanin, pak më pak për Seferin. Asani vertikalizoi disa herë per Cikalleshin, por ai i vetëm luftoi me 3 qendrat e Çekisë, por i vetëm ishte gati e pamundur të depërtonte. Në vlerësimin tim një notë pozitive për të, që jep maksimumin sa herë thirret në apel për Kombëtaren.
Edhe zëvëndësimet e bëra i dhanë një marsh më tepër, sidomos Bare por edhe Daku e Muja që bënë një perfomancë te mirë. Nuk mund ti gjykojmë në ndeshjen debutuese pasi edhe emocionet bëjnë të veten. Ndërsa edhe zëvëndësimet e tjera mendoj se u justifikuan.
Një tjetër gjë që vlerësoj në këtë ndeshje ishte pritja e portierit Berisha, që unë e njoh që nga viti 2012 kur debutoi ndaj Iranit dhe mendoj se kjo ishte pritja më e bukur e tij. Një portier që i ka dhënë shumë Kombëtares.
Ndeshja me Çekinë ishte më shumë se detyra e shtëpisë (siç mund të quhen fitorja me Moldavinë e Ishujt Faroe) dhe çdo ndeshje që kalon tani është një ndeshje që i mbetet historisë.
Tani kemi Poloninë përpara, stafi mjekësor është në një luftë me kohë për të rikuperuar në kohë rekord futbollistët dhe të bejnë performancën me të mirë të viteve të fundit, pse jo ta fitojmë këtë ndeshje. Polonia duket me oshilacione ne fazën difensive ku ka oësuar 6 gola dhe ka shënuar po 6, pra nuk janë solid por të çekulibruar.
Shpresoj të kemi edhe fatin me vete, lojtarin numër 12-të e kemi pasi stadiumi do të jetë plot e përplot. Dhe gjithashtu të marim një fitore që do të na hapte rrugën për të shkuar në Europianin “Gjermani 2024”, mendoj që ka ardhur koha!