Me titullin kampion për ekipin U15 është mbyllur sezoni sportiv 2018-2019 për ekipet e Akademisë Vllaznia. Sa I takon rezultateve në përgjithësi, ato mund të kishin qenë edhe më të mira, por gjithsesi për drejtorin teknik të saj Alban Neziri, sezoni mund të
konsiderohet pozitiv.
Një gjë të tillë ai e ka deklaruar në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” kur është shprehur: “Unë do ta konsideroja poziitiv mbi të gjitha sepse në rradhët e Akademisë ka elementë jashtëzakonisht të mirë, e mjafton t’i referohemi ekipit U15 që u shpall edhe kampion, i cili ka në rradhët e tij 4-5 lojtarë shumë të mirë si Kurbasha, Cungu, Maliqi, Talani etj që janë edhe pjesë e ekipeve kombëtare.
Mund të kishim bërë diçka më shumë me ekipin U17, ndërkohë që me atë U19 ishim finalistë të kampionatit. Përgjithësisht jemi të kënaqur me këtë çfarë kemi arritur. Ndoshta mund të bënim diçka më mirë por e rëndësishme është që Akademia Vllaznia, por edhe çdo ekip tjetër në Shkodër, kanë në përbërje të tyre elementë shumë të mirë të cilët janë afër Vllaznisë dhe e kanë ëndërr të veshin fanellën e saj”.
Ndërkohë, I pyetur se çfarë do të sjellë sezoni I ri për ekipet e Akademisë Vllaznisë, Neziri shton: “Çdo vit fokusi ynë kryesisht është i përqendruar tek U19, U17 dhe U16 sepse aty është ana profesionale dhe besoj se me to edhe në sezonin e ri do të jemi pretendentë sepse brezat e lojtarëve që janë pjesë e tyre garantojnë shumë për të ardhmen e Vllaznisë”.
Natyrisht që tek Akademia Vllaznia rezultatet nuk kanë munguar asnjëherë këto vitet e fundit megjithatë prioriteti gjithmonë ka qenë nxjerrja e elementit cilësor për ekipin e parë dhe ekipet kombëtar, mision që kjo Akademi e ka kryer më së miri.
© shkodrasport.com