Trajneri Agim Canaj ka zhvilluar dje një analizë për takimin me Kastriotin. Vetë golat e pësuar dhe gabimet e lojtarëve të skuadrës kanë bërë që tekniku të ndalet shkurtimisht në bisedën e tij me futbollistët. Një nga më të shigjetuarit e teknikut Agim Canaj ka qenë portieri Mirosllav Vujadinoviç. Portieri ka një pjesë të fajit në golat e pësuar, sidomos në atë të parë e të dytë të pësuar nga ekipi i tij. Nga sa mësohet, trajneri ka theksuar se Vujadinoviç mban një pjesë të fajit për golat e pësuar. Madje, Canaj është ndalur edhe teknikisht te gabimet që ka bërë malazezi i portës. Ai ka folur me portierin edhe për vendosje gabim që i ka bërë murit në golin e dytë të pësuar nga ekipi i tij. “E ke vendosur gabim murin në rastin e golit të dytë, gjithashtu edhe në golin e parë ke gabuar.
Nëse e shikosh edhe vetë në televizion, do të bindesh”, – mësohet t’i ketë thënë tekniku portierit me eksperiencë, i cili është cilësuar si një nga më të mirët e Superiores. Në takime të tjera “gardiani” i portës ka shfaqur pakujdesi, madje është shigjetuar në disa takime si fajtor në humbjet e ekipit shkodran. Edhe në takimin me Skënderbeun në Korçë një pjesë të fajit, sidomos në golin e dytë të pësuar, e kishte edhe Vujadinoviç. Gjithsesi, përveç portierit, nuk kanë munguar kritikat edhe ndaj malazezit tjetër, atij të mbrojtjes, Nikola Vukçeviç. Në rastin e golit të tretë një pjesë e fajit rëndon edhe te ky lojtar. Megjithatë, drejtuesit nuk i kanë mëshuar këtij fakti, por kanë kërkuar që ky repart të jetë më solid dhe të gabojë sa më pak që të jetë e mundur. Tekniku Canaj mësohet se u ka shprehur lojtarëve që ata duhet të japin maksimumin, për të bërë të mundur që kjo situatë të përfundojë. Takimi me Partizanin është cilësuar nga trajneri si i një rëndësie të veçantë. Sipas tij, vlen vetëm fitorja, që mund të japë shpresë për qëndrimin në Superiore. Pas takimit me Kastriotin kanë qarkulluar fjalë të shumta që Canaj mund të lërë drejtimin e Vllaznisë. Trajneri nuk është shprehur në asnjë moment për një gjë të tillë. Për më tepër, ai ka qenë koshient për gjendjen në të cilën e ka marrë skuadrën. Megjithatë, në një moment të tillë e me të tilla rezultate, tekniku ka lënë të kuptohet se nuk është shumë e rëndësishme nëse do vazhdojë të jetë në krye të ekipit. Për këtë motiv trajneri ka këmbëngulur që futbollistët të luajnë për vete dhe për fanellë. Ndërsa, nga ana e tyre, asnjë prej lojtarëve nuk e ka hapur gojën, por kanë pranuar në heshtje gabimet e bëra në këtë përballje.
Admir URUÇI