Vllaznia ka zhvilluar pasditen e sotme analizën e ndeshjes së fundit, asaj të humbur në Vlorë 1-3 me Flamurtarin. Natyrisht që një humbje e tillë dhe për më tepër nga mënyra si erdhi, nuk ka lënë shije aspak të mirë në Shkodër. Kuptohet edhe tek vetë drejtuesit e skuadrës dhe ato të klubit. Në analizën e zhvilluar në zyrat e klubit kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët, stafi drejtues me Canajn, Nikën dhe Legatën. Ka asistuar edhe drejtori sportiv Armir Grima. Siç njofton faqja zyrtare e klubit shkodran, ai që ka folur gjerë e gjatë në këtë analizë, ka qenë trajneri Canaj. Numri 1 i skuadrës kuqeblu u ka kujtuar edhe njëherë tjetër futbollistëve të tij se gabimet e vërejtura edhe në Vlorë kanë qenë të pafalshme, si ato në sulm por më shumë ato në mbrojtje.

Për të është e pafalshme ky oshilacion i skuadrës sepse ishin po këta futbollistë që deri para pak javësh treguan një formë shumë të mirë dhe ishin të renditur në një pozicion shumë komod në renditje. Tashmë ndodh ndryshe dhe sipas Canajt, arsyeja duhet të jetë mosvlerësimi siç duhet i ndeshjeve nga ana e futbollistëve. Po ashtu, ka kërkuar më shumë nga lojtarët më me përvojë për të qenë ata liderët e vërtetë dhe për të udhëhequr edhe më të rinjtë në fushën e lojës duke i udhëzuar por edhe kritikuar. Nga ana tjetër, trajneri i Vllaznisë përveç kritikave për skuadrën, ia ka bërë qartë të gjithëve se ka besim tek to. Ashtu siç kanë ditur në shumë ndeshje deçizive të tregojnë veten, ashtu ai mendon se do ta tregojnë veten edhe në ndeshjen e rradhës me Kukësin. “Mos e mbivlerësoni kundërshtarin. Nëse ju keni besim tek vetja, mund ta mundni atë skuadër dhe çdo tjetër. Prandaj kam besim tek ju”-ka thënë Canaj. Në fund të analizës ka folur pak minuta edhe drejtori sportiv Grima që ka deklaruar: “Ju kam kërkuar edhe në mbledhjen e herës tjetër që të reflektoni sepse jeni në vëzhgim secili prej jush. Unë sot nuk do t’iu kërkoj të luani për Vllazninë. Ju kërkoj të luani për familjet tuaja. Nëse nuk i vlerësoni as ato, atëherë është çështje tjetër. Nuk duhet të bëjmë kurrsesi këto gabime që janë bërë në ndeshjet e fundit. Secili prej jush është në skaner në këto ndeshjet që kanë mbetur deri në fund të këtij viti. Mos mendoni se jeni të pazëvendësueshëm prandaj justifikoni besimin që ka Vllaznia tek ju, besimin që kanë drejtuesit tek ju dhe të reflektoni menjëherë duke nisur nga ndeshja e rradhës”. Në këtë analizë, për ta lënë edhe më të qetë skuadrën, është vendosur që të ketë edhe një rregullim të marëdhënieve me mediat teksa në ditë të veçanta do ketë konferenca shtypi me futbollistë dhe pjestarë të stafit drejtues.