Shkëlqim Muça, i përhershmi i emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH ka bërë analizën e radhës, për gjithçka që ka ndodhur në javën e 10-të të Ligës Superiore. “E prisnim një kalendar të tillë, gjithçka ndodhi për shkak të bojkotit. Sigurisht, kur luhet kështu humbet në cilësi, skuadrat tona nuk e kanë kapacitetin për të përballuar një ngarkesë të tillë. Megjithatë, çdo gjë po shkon mirë”.

Për Kukësi-Tirana: “Cilësia e lojës ka rënë nga java në javë. Të dyja skuadrat luftuan për ta fituar ndeshjen. Nga e gjithë loja, Kukësi ishte më afër fitores, por nuk është akoma në nivelin e lojës që presim. Edhe Tirana akoma nuk është konsoliduar, nga java në javë ka shumë lojtarë që lëvizin. Bardheblutë, me këtë skuadër që kanë tani, nuk e vendos te ekipet pretendente”.

Për Apolonia-Vllaznia: “E rëndësishme është fitorja. Vllaznia është ekipi më stabël, nuk ka patur oshilacione në lojë. Në 10 ndeshje të jesh 5 pikë përpara nuk është pak. Kuqeblutë, edhe në ndeshjet që ka humbur, nuk ka luajtur keq”.

Për Laçi-Bylis: Laçi humbi kohë në momentin që hoqi Cungun. Skuadra la pikë rrugës, mund të ishte 3-4 pikë më lart. Me ardhjen e Duros është një tjetër gjë, ka vendosur piketat. Vendosja e lojtarëve në pozicione ka bërë që skuadra të konsolidohet. I ka dhënë qetësinë e duhur. Nëse fiton me Kastriotin këtë javë, Laçi futet te skuadrat pretendente”.

Për Partizani-Kastrioti: “Partizani e dominoi ndeshjen. Nuk e rrezikoi asnjëherë. Në aspektin taktik ishte shumë mirë. E vetmja mangësi ishte që nuk ka forcë në finalizim. Deri në 25 metrat e fundit shkon shumë mirë, është i qartë, por finalizimi nuk është aty ku duhet. Asani? Në minutat e fundit bëri një paraqitje shumë të mirë”.

Për Skënderbeu-Teuta: “Teuta kur luan jashtë është më e lirshme, luan më mirë, shkon më shumë te porta. Është një skuadër që po bëhet gjithnjë e më shumë agresive. Lojtarët janë ambjentuar. Karabeci po luan, është një nga lojtarët më të mirë në pozicionin e tij. Edhe Krasniqi po përshtatet”.