Bajerni i Mynihut vazhdon të jetë në udhëkryq për sa u përket blerjeve të mëdha në merkato. Nga Karl Hainc Rumenige te Niko Kovaç dhe së fundi te Manuel Nojer, të gjithë janë në dilemë.

Ishte data 9 korrik ku numri dy i klubit prezantonte blerjen 80 milionë euro, Lukas Hernadez nga Atletiko e Madridit. Rumenige u siguroi tifozëve që klubi do të vazhdonte të investonte në merkato edhe pse duhej bërë me kujdes pasi skuadra është në mesin e një revolucioni.

Por deri tani, asgjë nuk ka ndryshuar, me emra të ndryshëm që qarkullojnë dhe me lojtarë të cilët nga objektiva kryesorë, po largohen gjithmonë e më shumë nga horizonti i bavarezëve. Por pse po ndodh e gjithë kjo? Cilat janë dilemat e Bajernit? “AZ” ka dhënë 4 arsye pse klubi gjerman ende nuk po bën goditjen e madhe.

1.LOJTARËT NËN 40 MLN, JO TË PËRSHTATSHËM

“Jemi ende duke gjurmuar lojtarë në merkato, çdokush që do të vinte, do të na bënte punë”, ishin fjalët e Tomas Myler pas ndeshjes me Arsenalin. Por sa garanci kanë lojtarët në ditët e sotme? Benzhamë Pavar erdhi nga Shtugarti për 35 milionë euro. Kampioni i botës me Francën do të kishte kushtuar dyfishin nëse Bajerni do të vendoste ta blinte në korrik. Një shembull për t’u marrë është edhe Sebastian Haler, francezi që shkoi tek Uest Hemi për 40 milionë euro shënoi 15 gola në kampionatin e kaluar me Frankfurt, kurrsesi nuk mund të quhet një lojtar i madh.

2.DUHEN BLERJE 100-MILIONËSHE

Lojtari më i dëshiruar i Bajernit është Leroi Sane. Gjermani i Mançester Sitit do t’u kushtoi bavarezëve mbi 100 milionë euro. Por sigurisht që një transferim i tillë mund të shkojë edhe më shumë nëse do të llogarisnim edhe rrogën dhe bonuset që do të përfshiheshin në kontratë. Se sa e vështirë ka qenë për Bajernin të operojë në këto dimensione, u pa qartë në deklaratën e presidentit Uli Hënes disa javë më parë.

3.BAJERNI, VETËM ZGJEDHJA E DYTË

Për shumë muaj me radhë qarkullonin zëra që Matijs de Ligt mund të ishte një lojtar i Bajernit. Por 19-vjeçari zgjodhi Juventusin që pagoi 85.5 milionë euro për holandezin. Por mbrojtësi i Ajaksit nuk ishte emri i vetëm që ishte në listën e Salihamixhiç, mesfushori spanjoll Rodri ishte një tjetër lojtar që mund t’u bashkohej gjermanëve. Por ashtu si De Ligt, edhe Rodri zgjodhi një skuadër tjetër, Mançester Sitin. Guardiola bindi bashkëkombësin e tij të shkonte në Premier Ligë për 70 milionë €.

4.BAJERNI MUNDET OSE NUK DO TË SHPENZOJË

“Nëse ju si gazetarë do të fitonit dyfishin e pagës që merrni këtu në Gjermani, atëherë me shumë mundësi do të jetonit aty”, iu drejtua Niko Kovaç gazetarëve në konferencën e parë për shtyp pas ardhjes nga pushimet. Kjo vuri në dukje faktin se në Bundesligë niveli i pagave është dukshëm më i ulët se në kampionatin anglez. Por pyetja është nëse Bajerni do apo nuk ka mundësi për të bërë goditjen e madhe në merkato, të cilën e ka premtuar që në janar./panorama-sport/