Për të qenë trajner i një ekipi të përmasave të Barcelonës, duhet të guxosh të marrësh vendime të vështira nga pikëpamja emocionale dhe estetike. Do të duhet të pranosh se nuk do t’i pëlqejnë shumicës, aq më pak vetë protagonistëve, por se ato janë të nevojshme për skuadrën.
Trajneri Hansi Flik bëri dy zëvendësime të “papëlqyeshme” në “Da Luz” (duke nxjerrë nga loja Dani Olmon e Lamin Jamal), por ai besonte në planin që duhej të improvizonte me rezultatin 0-0 dhe me një lojtar më pak. Dora e Hansi Flik u ndie për herë të parë në minutën e 22-të kur Pau Kubarsi u përjashtua me karton të kuq direkt.
Me VAR-in që po vendoste fatin e mbrojtësit, trajneri gjerman tashmë po diskutonte me ndihmësit e tij të besuar për të gjetur formulën e duhur për të ruajtur ekuilibrat në skuadër, duke ditur se do të duronte 70 minuta e më shumë me një lojtar më pak. Ishte e qartë se do të hynte një qendërmbrojtës, Ronald Arauho, por nuk ishte e qartë se cili do të sakrifikohej. Gjermani vendosi për Dani Olmon. Dani po kënaqej në “Da Luz” në ato 21 minuta, por u zëvendësua.
Duke analizuar arsyet, duhet të kuptojmë se që nga ai moment ndeshja do të lëvizte në një skenar shumë fizik. De Jong dhe Pedri duhet të ishin në fushë për shkak të karakteristikave të tyre taktike dhe teknike. Dhe Jamal e Rafinja ishin të paprekshëm në atë moment, i pari sepse mund të zgjeronte fushën dhe të krijonte rrezik, dhe i dyti për shkak të mprehtësisë së tij. Pyetja duhet të ishte nëse do të zëvendësohej Levandovski ose Olmo.
Flik besonte se polaku do të mbante nën presion dy qendërmbrojtësit e Benfikës dhe se ai ishte thelbësor për topat e gjatë. Një lexim i drejtë siç e shpjegoi edhe vetë në fund të takimit. Ndryshimi i dytë me peshë erdhi në minutën e 56-të, sepse fillimi i Benfikës në pjesën e dytë ishte dërrmues. Flik thirri Ferran Torres dhe ishte logjike të mendohej se, këtë herë, Leva do të ishte i zgjedhuri.
Por trajneri gjerman vendosi të ulë në stol yllin 17-vjeçar, Lamin Jamal! Të shumtë do kenë qenë ata që kanë thënë në moment se “ky (Flik) qenka i çmendur”. Por gjermani kishte përsëri të drejtë, sepse Jamal po tregonte shenja lodhjeje, duke mos ndihmuar shumë Kundenë në mbrojtje.
Ferran mund të kishte ofruar disa mundësi të ndryshme në lojën në hapësirë Ferran u pozicionua në të majtë, duke kaluar Rafinjën në të djathtë, me Levën që duhej të luftonte i vetëm në një duel të pabarabartë me qendërmbrojtësit portugezë.
Flik u shpërblye 5 minuta më vonë, kur Rafinja shënoi golin e vetëm të mbrëmjes. As Olmo e as Lemin Jamal nuk e pëlqyen zëvendësimin. Por Olmo ka më shumë përvojë tani për të kuptuar se një trajner ndonjëherë duhet të jetë jopopullor në zgjedhjet e tij. Madje edhe të tradhtojë shijet e tij të futbollit për të mirën e ekipit. Dhe askush nuk mund të argumentojë se Levandovskit i jepet një trajtim preferencial. Dëshmi për këtë janë zëvendësimet e panumërta të polakut. Ndaj Flik doli edhe më i fortë nga “Da Luz”.