Kur humbet ose barazohesh nga avantazhi 2-0 dhe në 15-minutat e fundit, pëson dy gola, duke lënë dy pikë shumë të vlefshme në shtëpi, domosdoshmërisht në pah dalin defekte dhe Vllaznisë nuk është se i munguan aspak ndaj Erzenit, ku për sa i përket mbrojtjes, ka zhvilluar pa asnjë dyshim një ndër ndeshjet më të dobëta të këtij sezoni.
“Shkodra Sport” ka renditur disa probleme që Erzeni i trajnerit Xhevahir Kapllani ua nxorri në pah shkodranëve.
Një ndër këto probleme është edhe që kapiteni Erdenis Gurishta nuk po përjeton ditë të mira. Në ndeshjen me Erzenin, por jo vetëm, ai ka bërë disa gabime që nuk i shkojnë aspak për shtat një futbollisti siç është Gurishta. Nuk mbaruam. Ndoshta, ishte përgjegjës edhe në golin e parë të pësuar në Shkodër.
Realisht, Gurishta po gabon, por nuk është vetëm ai problemi. Vllaznia duhet të jetë më e ashpër në lojën mbrojtëse. Skuadra e Josës kapet shumë lehtë në kundërsulm. Shumë ekipe të Superiores kanë përfituar nga kjo dobësi. Kuqeblutë kanë pësuar 12-gola në 10-ndeshje, që padyshim janë shumë.
Në fakt, që mbrojtja “fut ujë” nuk do “mend as kalem”, siç thotë populli, teksa kuqeblutë kanë probleme të mëdha në prapavijë, pasi kanë pësuar jo pak, duke u bërë kështu skuadra e dytë e kampionatit me mbrojtjen më të dobët, menjëherë pas Teutës, me katër gola më shumë.
Për të ardhur deri në këto shifra, natyrisht kanë ndikuar disa faktorë. Ndryshimi i filozofisë së trajnerëve nga Thomas Brdariç për të ardhur tek Mirel Josa apo edhe ndërrimi i grupit të futbollistëve, kanë dhënë efektet e veta.
Megjithatë, fakt shqetësues është se në 10-ndeshje të luajtura 12-gola të pësuar, nuk janë pak, duke qenë mbrojtja e dytë më e dobët e kampionatit pas Teutës. Realisht, gjithsecilit prej nesh i lind pyetja: Çfarë nuk po shkon tek kjo Vllazni? Në fakt, një përgjigje konkrete dhe të saktë, asnjë nuk di ta japë…
Maringlen ZHIVANI