Deri në vitin 1990, në Kombëtaren Kuqezi luanin vetëm futbollistë që aktivizoheshin në kampionatin shqiptar. Për arsye të vetkuptueshme të asaj kohe….

Pas vitit 1990, në Kombëtaren Kuqezi luajtën futbollistë me origjinë nga të gjitha trevat shqiptare, që aktivizoheshin në kampionate të ndryshme europiane. Dhe eventualisht, ata futbollistë arritën ta çojnë Kombëtaren Kuqezi deri në turneun e Kampionatit Europian më 2006 (madje në qoftë se shtyllat e portës irlandeze do të ishin treguar më bujare ndaj gjuajtjeve të futbollistëve gjermanë, ne mund të ishim kualifikuar në mënyrë të tërthortë për më sipër, si të tretët në grupin tone kualifikues).

Ajo Kombëtare Kuqezi (që kishte përjetuar më parë skena dramatike në stadiumin e Beogradit) përbënte suksesin më të madh të bashkimit kombëtar, të paktën në fushën e futbollit. Por një ngjarje sinjifikative (jo në fushën futbollit, por atë gjeopolitike) shënoi më vonë edhe futja e Përfaqësues së Kosovës në kompeticionet zyrtare të FIFA-s.

Teksa Kosova ende nuk njihet zyrtarisht nga OKB-ja si sovrane, në kompeticionet futbollistike të FIFA-s ajo njihet si e tillë. Dhe kjo është një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme gjeopolitike.

Po a kanë rëndësi tani sukseset futbollistike të Përfaqësueses së Kosovës, para sukseseve të Kombëtares Kuqezi? Për mua dhe shumicën dërrmuese të tifozëve kuqezinj (kudo që janë), besoj se aspak.

Ne tifozët kuqezinj do të donim të kishim në Kombëtaren Kuqezi edhe Rahmanin, Muriqin, Rashicën, Zhergovën, Vojvodën, si dhe çdo talent shqiptar, kudo që ka lindur e kudo që luan futboll. Kombëtarja Kuqezi është aktualisht i vetmi simbol që përfaqëson bashkimin kombëtar, 112 vjet pas ndarjes zyrtare të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër…