Klima pozitive në kampin shkodran vazhdon sërish. Pas barazimit të arritur në Kukës ndaj kampionëve në fuqi, tek Vllaznia tashmë janë të përqendruar tek sfida e rradhës ndaj Skënderbeut. Pikërisht ky diskutim ka marrë shumicën e kohës në analizën e zhvilluar sot tek ekipi shkodran. Kjo bëhet e ditur në njoftim zyrtar të klubit në faqen e tij ku thuhet:
“Mesditën e sotme ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar analizën e ndeshjes së rradhës, asaj me Kukësin. Në të kanë marrë pjesë përveç futbollistëve dhe stafit teknik edhe dy drejtuesit e lartë të klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka. Gjatë diskutimeve të bëra, ndeshja është konsideruar përgjithësisht si pozitive por që ka patur padyshim brenda edhe gabime të cilat duhet punuar për t’i korigjuar në ndeshjet e ardhshme. Ajo që duhet përmendur është se klima në skuadër duket shumë pozitive dhe entuziaste. Futbollistët kanë shprehur besim në vazhdimin e rezultateve pozitive dhe për këtë arsye fokusi do të jetë i përqendruar tek ndeshja e së dielës ndaj Skënderbeut ku pavarësisht emrit të kundërshtarit, do të tentohet marrja e fitores. Vllaznia i ka mundësitë për ta bërë këtë gjë dhe do të kërkojë ta demostrojë këtë gjë edhe në fushën e lojës”.