Humbja me Teutën nuk ka kaluar në qetësi tek Vllaznia. Drejtuesit e saj sigurisht që kanë dashur të kërkojnë llogari për atë rezultat por edhe për lojën e dobët të zhvilluar, çka ka mërzitur jo pak edhe tifozët e pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”. Vetë klubi shkodran përmes një komunikate të shpërndarë për mediat ka bërë të ditur se në këtë analizë kanë marrë pjesë edhe dy drejtuesit e klubit dhe po ashtu janë nxjerrë edhe përgjegjësitë e duhura në mënyrë që kjo situatë të ndryshojë sa më shpejt. Ja komunikata e plotë e klubit shkodran:

Pasditen e sotme, para nisjes së stërvitjes dhe përgatitjeve për ndeshjen e rradhës, atë me Luftëtarin, është zhvilluar analiza e ndeshjes së fundit, asaj të humbur me Teutën. Në këtë analizë përveç futbollistëve dhe stafit teknik, kanë marrë pjesë edhe administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka. Fillimisht, para skuadrës ka folur trajneri Cungu që është ndalur tek ana teknike dhe dobësitë e shfaqura nga futbollistët në atë 90 minutësh ndërsa më pas ka qenë administratori Gjyrezi ai i cili u ka bërë të ditur pjestarëve të ekipit dëmin e madh që i kanë shkaktuar
vetes por edhe klubit me zhgënjimin që u kanë sjellë tifozëve të shumtë të pranishëm në shkallët e stadiumit. Për këtë arsye, numri 1 i klubit ka kërkuar prej tyre kthesën sa më parë duke nisur nga takimi i rradhës me Luftëtarin. Në emër të futbollistëve ka folur kapiteni Gilman Lika i cili ka kërkuar falje për atë paraqitje ditën e dielë duke u justifikuar atë me faktin se asnjëri nuk dha maksimumin, si pasojë e impresionit që patën nga prania e një numri të madh të tifozëve. Megjithatë ai ka premtuar se Vllaznia e vërtetë nuk është ajo që u shfaq në fushë ndaj ekipit durrsak sepse ka forca për më shumë dhe këtë do ta tregojë që ndaj Luftëtarit. Po ashtu, Lika në emër të skuadrës ka kërkuar që tifozët të mos i braktisin sepse nga java në javë do t’i bindin se do jenë në gjendje t’i kënaqin me lojëra dhe me rezultate pozitive. Pas kësaj analize, skuadra ka vijuar me procesin stërvitor duke nisur kështu përgatitjet për sfidën e tretë të këtij kampionati, atë me Luftëtarin.