Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, doli para mediave mëngjesin e së enjtes para ndeshjes kundër Selta Vigos sonte në mbrëmje. Tekniku italian i “los blancos”-ve ka folur për një sërë temash, ku merkatoja dhe Kilië Mbape kanë qenë në fokus.
Megjithatë Ançeloti ka përjashtuar një afrim të mundshëm të francezit, teksa e ka cilësuar të mbyllur merkaton e Realit. Ndër të tjera, Ançeloti ka folur edhe për situatën e veçantë të Luka Modriçit, duke pranuar se kroati është i zhgënjyer që ka përfunduar në stolin e rezervave. “Nuk do të ketë më afrime të reja. Mund ta garantoj 100%”, tha Ançeloti.
SELTA VIGO – “Është një ndeshje e veçantë dhe e rëndësishme për ta. Ne nga ana jonë shkojmë me objektivin për të vazhduar me ecurinë pozitive të dy javëve të para. Skuadra po ecën mirë ndaj jam optimist”.
LUIS RUBIALES – “Është një temë delikate. Është një sjellje që nuk më pëlqeu. Nuk është diçka që duhet të bëjë një president. Sjellja e një personi nuk më ndikon në jetën time personale. I kam idetë shumë të qarta se çfarë duhet të bëj dhe se kam përgjegjësi si trajner”.
PORTA – Pas dy javëve të para kur Ançeloti ia besoi portën e Realit ukrainasit Lunin, në takimin e javës së tretë ai ka vendosur të hedhë në fushë që nga minuta e parë portierin e ardhur javën e kaluar, Kepa Arrizabalaga. “Kundër Seltës titullar do të jetë Kepa”.
120 NDESHJE NË MADRID – “Është një sukses dhe mendoj se po bëjmë mirë. Unë shoh një skuadër të motivuar me entuziazëm dhe mendoj se po bëjmë mire”.
SITUATA E MODRIÇIT – “Luka ka zgjedhur tashmë atë që dëshiron të bëjë vitin e ardhshëm (të vijojë te Reali). Është një situatë e pazakontë për të, ai nuk është i lumtur, por po punon shumë mirë. Ai do të ketë kontributin e jashtëzakonshëm. Për të gjithë është një situatë e veçantë”.
BELLINGAM – “Ai është një lojtar shumë inteligjent. Në fakt nuk më habit ajo çfarë është në gjendje të bëjë Bellingami, ajo që habit më shumë është se gjëra të pabesueshme po i bën një lojtar që është vetëm 20 vjeç”.
KALENDARI – “Përgjegjësia jonë është të themi atë që mendojmë dhe të gjithë mendojmë se ka shumë dëmtime fizike dhe ka shumë ndeshje. I qëndroj mendimit që kam dhënë pak kohë më parë, shumë ndeshje nuk përkthehen më shumë cilësi, por më shumë para”.
VINICIUS – RODRIGO – “Rodrigo nuk e ka problem të luaj, sepse ishte mësuar të luante si sulmues dhe Vinicius po përshtatet mirë. Nuk po e detyroj të luajë brenda. Ai ka inteligjencën të dijë se ku të luajë. Të luajë më shumë brenda i jep atij më shumë shanse për të shënuar. Ai duhet të mësojë të lëvizë në qendër. Duhet të mësojë pak nga Filipo Inzagi nga kjo anë, të jetë më afër portës”.
MERKATO – “Unë mendoj se lista jonë është e mbyllur dhe të gjithë janë të fokusuar në këtë sezon. Nuk pres që të afrohen lojtarë të tjerë deri në fund të merkatos”.
FEDE VALVERDE – “Ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe duhet të përfitojë nga kjo. Nuk do t’i kërkoj kurrë të luajë me një ose dy prekje”.