Karlo Ançeloti u shkarkua nga drejtimi i Napolit dhe vetëm pak ditë më vonë u largua nga Italia duke nisur një aventurë të re në kampionatin anglez ku u bashkua me Evertonin. Trajneri italian kishte një mundësi të mirë për të drejtuar Arsenalin ose Evertonin dhe vendosi të shkonte me skuadrën e Evertonit.

Në konferencën e prezantimit nuk kanë munguar batutat dhe shakatë nga trajneri italian. Ai e mban mend mirën ditën kur u largua nga Çelsi dhe shkak u bë pikërisht një ndeshje kundër Evertonit dhe në këtë takim, Ançeloti mori vesh lajmin për shkarkimin e tij dhe ishte pikërisht në stadiumin ku sot është trajner.

“Unë u shkarkova pikërisht në këtë korridorin e këtij stadiumi kur isha te Çelsi. Vini një përkujtimore në korridor “Këtu u shkarkua Ançeloti”. Të vija te Evertoni ishte një zgjedhje e lehtë sepse rikthimi në Premier Ligë është rikthimi në një nga ligat më të forta në botë”, tha Ançeloti. /vipsport/