“Është normale që ai vendos gishtin në gojë për shkak të gjithçkaje që po ndodh”, – tha Carlo Ancelotti në konferencën për shtyp, para debutimit të “Los Blancos” në Ligën e re të Kampionëve, kundër Shtutgardit. Kështu, trajneri italian nuk ka ngurruar ta mbrojë futbollistin brazilian, pas persekutimit që po i bëhet në futbollin spanjoll.

Vini Jr. dhe festimi i tij për golin që shënoi në “Reale Arena”…

Është një reagim ndaj një veprimi shumë të shëmtuar, që ka ndodhur shumë herë, por ndaj tij ka gjithmonë ofendime. Ajo që ka ndodhur me Vini Jr. në gjithë këto vite nuk mund të tolerohet. Ai është rrezik për cilindo kundërshtar në nivel sportiv, ndaj të gjithë përpiqen ta nxjerrin nga binarët gjatë lojës.

Si janë Bellingham, Tchouameni dhe Militão?

Bellingham është mirë, ashtu si Tchouameni dhe Militão, të cilët nuk u stërvitën sot. Militão kishte nevojë për më shumë rikuperim, kjo është arsyeja pse menduam t’i jepnim një ditë më shumë pushim. Nesër do të jetë 100% në dispozicion. Ne kemi pasur fatin e keq me dëmtimet, por skuadra është e përgatitur.


Cilët janë favoritët për ta fituar këtë kompeticion, tashmë me format ndryshe?

Formati ndryshon, por pretendentët janë gjithmonë të njëjtë, përfshirë Real Madridin. Ky Champions League do të jetë një histori tjetër, shpresoj që të arrijmë në finale si edicionin e kaluar.


Me çfarë entuziasmi e nisni edicionin e ri pas kaq shumë vitesh në Champions League?

Është njësoj si në fillim, sepse ky kompeticion është shumë i veçantë për mua, jo vetëm për klubin. Puna e përditshme, të jem këtu, përgatitjet për stërvitje, durimi i problemeve të përditshme… E konsideroj veten shumë të duruar, sepse çdo ditë ka një problem për të zgjidhur, edhe pse ndonjëherë janë të pakuptimta.


Dy fjalë për bilancin e fillimit të sezonit…

Mund të kishim edhe dy pikë më shumë në La Liga, por jemi aty ku donim të ishim. Fituam titullin e parë të sezonit dhe ishte e parashikueshme se do të kishim probleme në start, sepse lojtarët erdhën më 9 gusht. Ne po përparojmë mirë, por duhet të përmirësohemi. Duam të konkurrojmë si sezonin e kaluar.


A ju bind grupi i lojtarëve që keni në dispozicion?

Ne kemi humbur dy lojtarë të rëndësishëm si Nacho dhe Kroos. Gjithashtu, Joselu. Ata janë zëvendësuar nga lojtari më i mirë në botë, ose një nga më të mirët. Mendoj se kemi një skuadër më të mirë se sezonin e kaluar.


A ndihet mungesa e Kroos?

Është një çështje e harruar. Ne duhet të shohim përpara, sepse ai është një lojtar që nuk mund të zëvendësohet. Duhet të inkurajojmë lojtarët që kemi në dispozicion, sepse do të bëjnë shumë mirë, siç ka bërë Kroos gjatë gjithë kësaj kohe.

Shkaqet e lëndimeve…

Ne e kemi kërkuar shkakun e këtij problemi, por nuk është në dorën tonë. Është një kalendar shumë i ngjeshur me ndeshje. Vjen një kompeticion i ri dhe nuk e dimë si do të dalë.


Si ju duket ecuria e rivalit tuaj më të madh, Barcelonës?

Është një rival që duhet respektuar, si Atlético Madridi apo Villarreali, të cilët po bëjnë mirë. Ne kemi të njëjtin respekt për të gjitha skuadrat që po bëjnë mirë për momentin.