Pas humbjes turpëruese 4-1 ndaj rivalit historik Argjentinës, dje Brazili zyrtarizoi shkarkimin e Dorival Junior. Në 14 muaj në krye të “Selecaos”, ai arriti shtatë fitore, shtatë barazime dhe dy humbje nga 16 ndeshje.
Edhe pse dëshira e madhe e Brazilit është t’i besojë stolin një trajneri legjendar si Carlo Ancelotti, 5 herë kampionët e botës janë të vetëdijshëm që kjo do mbetet thjesht një dëshirë paktën për momentin, pasi italiani do të vazhdojë të respektojë kontratën me Real Madrid, e cila i skadon verën e vitit të ardhshëm.
Fabrizio Romano raporton se kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Brazilit është Jorge Jesus, trajneri i njohur portugez i cili aktualisht drejton klubin arab të Al Hilal.
70-vjeçari do të drejtojë Al Hilal edhe në Botërorin e Klubeve dhe më pas pritet të zyrtarizohet në krye të kombëtares braziliane, ku synimi kryesor është të fitohet Kupa e Botës për herë të gjashtë.
Jorge Jesus është një trajner me shumë eksperiencë, pasi ka drejtuar dhe ka arritur suksese me disa klube në Europë. Suksesin me të madh e ka arritur me Benfica-n, klub të cilin e ka drejtuar për dy herë, 2009-2015 dhe për herë të dytë në sezonin 2020-2021. Po ashtu ka drejtuar dhe klube të tjera të njohur si Braga, Sporting, Fenerbahce etj.(telesport)