Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, këmbëngul se Carlo Ancelotti nuk duhet të fajësohet për vështirësitë e Real Madridit këtë sezon. Puna e Ancelottit është në rrezik pas eliminimit të tyre nga Champions League në fazën çerekfinale.

Por ish-kapiteni dhe trajneri i Barcelona-s, Koeman, tha për Marca: “Në fund të fundit, në futboll, fajtorët janë trajnerët. Duhet ta pranojmë që Ancelotti po bën një punë të shkëlqyer. Ai është trajneri që ka fituar më shumë tituj në botë.

“Ai është një trajner i mirë, inteligjent. Ai e menaxhon shumë mirë një ekip si Madridi me kaq shumë yje.

“Për mua ai nuk është fajtori. Nëse nuk fituan, duhet t’i kërkojmë përgjegjësitë tek të gjithë, por në fund të fundit në futboll trajneri është gjithmonë fajtori”.

Koeman foli gjithashtu për finalen e Kupës së Mbretit midis Barcelona-s dhe Real Madrid-it.

Ai tha gjithashtu: “Nuk ka favoritë në finalet e këtij lloji. Nëse e analizoni, nga pikëpamja e futbollit, Barcelona mund të ketë rezultate më të mira, por në një ndeshje midis Barçës dhe Real Madridit gjithçka mund të ndodhë.

“Dhe për Madridin është një mundësi për të kompensuar eliminimin nga Champions League. Ata po marrin kritika për lojën dhe rezultatet e tyre, por në një finale të Kupës së Mbretit midis dy ekipeve të mëdha nuk ka favoritë”./telesport/