Carlo Ancelotti tha se do të ishte larguar, nëse do të kishte përgjegjësinë e trajnerit të PSG, pas kapitullimit në Ligën e Kampionëve. Kampionët e Ligue 1 shpërdoruan avantazhin e ndeshjes së parë, 2-0, pasi u mundën 3-1 në kthim dhe u eliminuan nga Manchester United në raundin e dytë të Champions-it.

I pyetur për eliminimin e parizienëve, që i ka drejtuar më parë, Ancelotti shprehu habinë e tij: “Ishte e pabesueshme. Po të kisha qenë në stolin e PSG, nuk e di se çfarë do të kisha bërë, ndoshta do të gjeja urën më të afërt dhe do të hidhesha poshtë”.

Ancelotti u shpreh kështu pas fitores 3-0 të Napolit ndaj Red Bull Salzburg, në ndeshjen e parë çerekfinale të “Europa League”, të enjten. Arkadiusz Milik, Fabian Ruiz dhe një autogol i Jerome Onguene e vënë Napolin në kontroll të plotë të këtij ballafaqimi, edhe pse dueti i qendrës së mbrojtjes, Kalidou Koulibaly dhe Nikola Maksimovic, do të humbasin ndeshjen e kthimit, për shkak të pezullimit.

Ancelotti tha: “Nuk jam i shqetësuar për mungesën e tyre, pasi kemi qendra të tjera të besueshme. Më tepër më preokupon mungesa e ekuilibrit në fazat finale. Është një rezultat i mirë, kemi ende 90 minuta për të luajtur dhe nuk mund të bëjmë llogari. Ne i bëmë disa gjëra mirë, disa jo dhe aq mirë, ndaj duhet të punojmë për to”./telesport/