Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka lartësuar shumë sulmuesin e tij brazilian, Vinicius Junior, pas paraqitjes mbresëlënëse me het-trik në fitoren e së martës mbrëma ndaj Borussia Dortmundit.
Real Madridi fitoi me rikthim sensacion 5-2 ndaj Dortmundit të martën mbrëma në Santiago Bernabeu, edhe pse pjesa e parë u mbyll me disavantazh 0-2.
Më i miri i kësaj fitore padyshim se ishte ylli brazilian, Vinicius Jr, i cili shënoi het-trik gjatë pjesës së dytë, për të kompletuar një paraqitje mbresëlënëse.
Pas kësaj fitoreje, Ancelotti ka lavdëruar lojtarin e tij, duke thënë se nuk ka dyshime se ai do ta fitojë Topin e Artë këtë vit, por ai po bën hapa për të siguruar edhe çmimin e vitit të ardhshëm.
“Ajo që mund të them është se është e rrallë të shohësh një lojtar që mund të ketë një pjesë të dytë si Vinicius. Dhe jo për shkak të tre golave, por për shkak të karakterit të tij, ai është i jashtëzakonshëm”, ka thënë fillimisht Ancelotti
“Vinicius do ta fitojë atë [Topin e Artë 2024], por jo për atë që bëri sonte, por për atë që bëri sezonin e kaluar. Këto tre gola [kundër Dortmundit] janë tashmë për Topin e Artë të vitit të ardhshëm”, përfundoi trajneri italian.
Ndryshe, për votimin e Topit të Artë 2024 do të merren parasysh vetëm arritjet e sezonit të kaluar, ndërsa fituesi do të shpallet më 28 tetor të këtij viti. Vinicius Junior ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë pesë asistime në 14 paraqitje për Real Madrid këtë sezon. /Telegrafi/