Shorti i turit të dytë të Ligës së Kampioneve në futboll për femra ka vënë përballë Vllaznisë ekipin Fortuna Hjorring të Danimarkës. Skuadra nënkampione e këtij vendi është krijuar në vitin 1966 dhe ka një eksperiencë të madhe në Kupat e Europës, madje në sezonin 2002-03 ka arritur deri në finalen e Kupës Uefa.

E pranishme në hedhjen e shortit dje në Nion të Zvicrës ka qenë drejtoresha e këtij klubi Jette Andersen e cila më pas ka dhënë edhe një prononcim për mediat e këtij vendi teksa ka folur edhe për Vllazninë.

“Nuk kam shumë njohuri për futbollin e femrave në Shqipëri, por jam e informuar që niveli i tij nuk duhet të kalojë së paku cilësinë daneze. Pra, duhet ta pranojmë se shorti i hedhur nuk ka qenë më i keqi i mundshmi për ne. Sidoqoftë, ne nuk duhet ta konsiderojmë punë të kryer fitoren dhe kualifikimin.

Shqiptaret sigurisht që do marrin guximin të bëjnë mirë në këtë kompeticion europian, prandaj besoj se kanë për të qenë dy sfida shumë interesante. Unë besoj se Carrie Kveton me siguri do të arrijë ta motivojë ekipin tonë të ri për të bërë diçka të madhe në një ndeshje kaq të rëndësishme”- është shprehur Andersen.

Ndeshja e parë do të luhet më datën 11 ose 12 shtator në Shkodër dhe ajo e kthimit dy javë më vonë në Danimarkë.
© shkodrasport.com

Ne foto drejtoresha e Fortuna Jette Andersen me kordinatoren e Vllaznise Matilda Matija pas hedhjes se shortit dje ne Nion