Anderson Filipi, mesfushori që mbylli sezonin si pjesë e skuadrës së Tërbunit, është rikthyer nga dëmtimi i gjatë që kishte pësuar. 22-vjeçari, i cili ishte një element i rëndësishëm për skuadrën pukjane gjysmën e parë të sezonit, ka lënë pas dëmtimin e gjatë që kishte pësuar në ligamentin e gjurit, dëmtim që e detyroi atë të qëndronte për shumë muaj larg fushës së blertë.
Tashmë, ekipi i mjekëve që kanë kryer operacionin pak muaj më parë dhe kanë bërë ndjekjen e proçesit të rikuperimit të tij, kanë bërë të ditur që Filipi është rikuperuar plotësisht. Gjatë këtyre muajve, Filipi ka qenë nën kontrollin e mjekëve, por edhe ka zhvilluar stërvitje intensive individuale për të qenë i gatshëm për sezonin e ri.
Po ku do ta gjejë ky sezon i ardhshëm atë? Një gjë e tillë akoma nuk dihet saktësisht, pasi kontrata me Tërbunin i ka përfunduar. Filipi ka disa opsione dhe mund të lëvizë nga pukjanët. Ai, i kontaktuar nga “Shkodra Sport” pohon këto oferta, por gjithashtu lë edhe një derë të hapur për rinovimin me Tërbunin.
“Jam në një periudhë ku kam pasur realisht disa interesime nga ekipe të ndryshme. Megjithatë, unë ende nuk kam vendosur asgjë për sa i përket të ardhmes sime. Mund të ketë edhe një rinovim me ekipin e Tërbunit. Kjo mund të ndodhë pasi të shoh projektin që drejtuesit e Tërbunit kanë për sezonin e ri. Kështu që, besoj se ditët e ardhshme do të jenë ditë vendimtare për sa i përket të ardhmes time”,-tha Filipi për “Shkodra Sport”.
Tashmë, gjithçka mbetet për t’u parë dhe zbuluar në ditët në vijim. Sezonin e kaluar me Tërbunin, Anderson Filipi u aktivizua në 18-ndeshje, por pa arritur dot të shënojë ndonjë gol.
Maringlen ZHIVANI