Në rolin e opinionistit të “Oversport” ish- futbollisti i kombëtares shqiptare Andi Lila e ka vlerësuar suksesin e Vllaznisë në përballjen ndaj Tiranës, por nga ana tjetër i ka dhënë meritën e duhur edhe bardhebluve pavarësisht disfatës.
Ish- mbrojtësi ndërkohë mendon se kjo fitore, do ta ndihmojë shumë Vllazninë dhe futbollistët e saj nga ana psikologjike për sfidat e ardhshme. Ja si eshte shprehur ai konkretisht pas ndeshjes Tirana- Vllaznia (1-2):
“Të mundësh Tiranën duhet t’i përveshësh mirë mëngët, duhet të djersisësh shumë, duhet të bësh një punë të jashtëzakonshme dhe në këtë ndeshje e bëri Vllaznia.
Tirana ishte edhe e pafat dhe ndoshta e meritonte të paktën një pikë sepse goditi dy herë shtyllat. Florent Hasani ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë.
Vllaznia mori tre pikë të arta dhe me këtë fitore ajo jo vetëm rregulloi disa gjëra në renditje, por ky sukses ndaj kampionëve do ta ndihmojë shumë edhe nga ana psikologjike.
Kjo sepse të mundësh kampionët në fuqi të vendit brenda në fushën e tyre në kryeqytet, do të thotë se në ndeshjen tjetër do të futesh në fushë me tjetër motivim. Çdo futbollist do të ketë një psikologji shumë të lartë”./SHKODRA-SPORT.COM/