Kontratë e re profesionistësh për një tjetër shqiptar në futbollin italian. Bëhet fjalë për Andrea Isufajn, lojtarin e lindur në vendin fqinj por me origjinë nga Kopliku i Malësisë së Madhe. Performanca shumë e mirë që ai ka bërë me ekipin e Arezzos, ka bërë që drejtuesit e Chievo Veronës të hedhin sytë drejt tij dhe pasi janë bindur për potencialin që zotëron, kanë arritur të blejnë kartonin e tij për shumën e 100 eurove. Jo keq, për një futbollist që nuk ka mbushur ende 17 vjeç por që premton shumë.
Isufaj për momentin do të luajë me ekipin e të rinjve të klubit të tij të ri dhe shumë shpejt do të shihet edhe ekipi i parë. I datëlindjes 21 nëntor 1999, duket se kemi të bëjmë me një futbollist me të dhëna shumë të mira. Prandaj Chievo Verona, një nga klubet kryesore në Itali që shquhet për punën me moshat dhe jo më kot, ka hedhur sytë tek shqiptari Isufaj që në sezonin e fundit, duke luajtur për Arezzon, ka shënuar 15 gola.
Kush është Andrea Isufaj?
Ai vetë ka lindur në Itali. Babai i tij është shqiptar, nga Kopliku i Malësisë së Madhe ndërsa nënën e ka italiane. Vetë Andrea thotë se është shqiptar dhe jo më kot, flet dhe shkruan mirë shqip. Vërtetë ka zgjedhur të luajë për kombëtaret e moshave të Italisë por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhshmen të zgjedhë Shqipërinë. Gjithçka duket se ia ka lënë në dorë menaxherit të tij Sokol Haxhia e për këtë, në prononcimin e tij për gazetën www.shkodrasport.com, kur pyetet për këtë çështje, ai thotë: “Për momentin jam duke kaluar momente shumë të mira. Jam pjesë e kombëtares U-17 të Italisë dhe natyrisht që dëshira është të luaj edhe për Shqipërinë, megjithatë kjo është një çështje për të cilin do të vendosim në vazhdim bashkë me menaxherin tim”. Menaxheri në fakt është një emër i njohur- Sokol Haxhia. E rëndësishme për këtë të fundit, është që Andrea të vazhdojë rrugën që ka nisur sepse për të tjerat do të vendosë e ardhmja.
Karriera e mëparshme
Futbollin e ka nisur në moshën 4 vjeç e gjysëm duke u angazhuar në Inter Club dhe më pas kalon tek ekipi Varna ku qëndron për 4 vite të tjera. Përvoja e tretë në karrierën e tij ka qenë me ekipin SSV Brixen me të cilin luan dy vjet dhe shënon respektivisht 53 dhe 22 gola. Më pas, kalon tek Arezzo Calcio dhe paraqitja e mirë edhe më tej, kanë bërë që Andrea të hedhë hapin e parë të rëndësishëm në karrierën e tij: atë të firmosjes së të parës kontratë profesioniste me ekipin Chievo Verona. Rruga drejt futbollit italin tashmë është e hapur më shumë se kurrë për të. Luan si sulmues dhe natyrisht që me golat e tij do të ketë mundësinë që të bjerë sërish në sy të ekipeve të mëdha.
Gjergj KOLA