Një nga protagonistët e Vllaznisë në këtë sezon ka qenë edhe Andrei Jago. Mbrojtësi i majtë brazilian e nisi sezonin në mënyrë shumë pozitive, e më pas një dëmtim u duk se ndikoi te forma që po kalonte.
Por tashmë ai është rikthyer në gjendjen e tij optimale dhe në një intervistë për “Panorama Sport” flet për fitoren e fundit të Vllaznisë ndaj Teutës. Ndër të tjera 27-vjeçari tregon edhe për synimet e skuadrës e ndërsa ndalet edhe te përditshmëria në Shkodër.
Fitore bindëse ndaj Teutës. Sa i rëndësishëm ishte ky triumf?
Ishte shumë e rëndësishme për ne të merrnim tri pikët në transfertë, kjo edhe për të rikuperuar ato pikë që lamë në shtëpi me Egnatian. Kundër Teutës është gjithmonë e fortë, por ne e dominuam nga fillimi në fund ndeshjen dhe besoj se e merituam totalisht fitoren.
Për të kaluar te forma juaj personale, jeni kthyer në 100%?
Unë kalova një dëmtim në dhjetor, që më la disi pas duke më ulur ritmin. Duhej të prisja janarin që të kthehesha në fushë dhe të rigjeja sërish formën time. Tani ndihem mirë si fizikisht, ashtu dhe psikologjikisht dhe jam gati të jap kontributin tim për arritjen e objektivave të Vllaznisë.