Vllaznia është drejt rënies nga Superliga, teksa e mban në lojë vetëm matematika. Dy javë nga fundi i kampionatit, shkodranët e shohin veten 5 pikë larg vendit që të shpëton nga rënia në Kategorinë e Parë.
Në studion e “Procesit Sportiv”, i ftuar është Fatlum Nurja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Nurja ia ka hedhur fajin, sistemit, për situatën që po kalon Vllaznia.
“Sistemi ka vendosur që Vllaznia të dalë nga Superliga.
Problemi nuk janë financat, trajnerët, lojtarët, por sistemi.
Mungesa e një presidenti? Nuk është kjo çështja, por ato tri fjalë që duhen thënë në këtë moment delikat, duhen thënë në momentin e duhur dhe pa gabime”, tha Fatlum Nurja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
PROBLEMET– “Ndeshjet e Vllaznisë në këtë kampionat, vetëm kundër Teutës ka qenë më ndryshe. Te Vllaznia ka mungesë dëshire. Ndaj mendoj se faktorë të jashtëm ndikojnë te ekipi.
Tifozët nuk vijnë në stadium kur shohin se gjithçka vendosen në vend tjetër dhe jo në fushë.
Vjet thashë që meqenëse Vllaznia dhe Tirana ishin të vetmet në Superligë me aksione publike, një prej tyre do binte. Në fund ra Tirana.
Vllaznia ka 1 miliardë e 200 milion lekë buxhet.
1 miliardë lekë janë borxhe të Vllaznisë. Unë kam thënë shumë herë që nuk kemi pse harxhojmë kaq shumë nëse luftojmë për mbijetesë.
Bilanci vjetor i Vllaznisë për këtë vit është 2 miliardë e 200 milionë lekë.
Rrogat janë të larta të lojtarëve, edhe pse kontratat siç thonë gojët e liga nuk interpretohen të sakta aq sa shkruhen”.