Vërtet “lartmadhëria” e saj ka pushtuar futbollin europian sivjet, por sigurisht që katër më të mirat e kontinentit, katër skuadrat angleze që do të luajnë për trofetë e Ligës së Europës dhe Champions-it, do u duhet t’i thonë faleminderit edhe Serisë A, për faktin se një skuadër e plotë mes katër finalisteve është rritur dhe ka fituar eksperiencë në Itali.
Duke nisur nga portieri e deri te rezervat e trajnerit, do të ketë edhe shumë Seria A në finalet e 29 majit dhe 1 qershorit. Duke e nisur nga porta, mes shtyllave qëndron Alison, portieri i Liverpulit që u vu në vitrinë te Roma.
Në mbrojtje, Zapakosta e Palmieri i Çelsit do të lëviznin nga korsitë anësore, por dy ish-ët e Torinos dhe Romës do të mbështeten në qendër nga Mustafi (ish-Sampdoria) dhe Papastatopulos (ish-Xhenoa).
Shtylla kurrizore e kësaj skuadre do të formohej sërish nga dy lojtarë të Çelsit, Zhorzhinjo (ish-Napoli) dhe Kovaçiç (ish-Inter), por edhe nga Torreira i Arsenalit, i cili pasi u rrit te Peskara, shpërtheu me bluzën e Sampdorias.